Izraeli dhe grupi palestinez Hamas kanë arritur një marrëveshje për armëpushim, e cila pritet t’i japë fund konfliktit 15-mujor në Gaza.
Ky proces është përshpejtuar nga një koment i presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump.
Më 7 janar të këtij viti, Trump tha se “Lindja e Mesme do të përballet me ferrin” nëse nuk arrihet një marrëveshje për lirimin e pengjeve deri në inaugurimin e tij më 20 janar. Ky koment, ndonëse fillimisht u interpretua si mesazh drejtuar Hamasit ose Iranit, një zyrtar izraelit ka thënë për Politico se ishte mesazh për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
“Netanyahu i frikësohet Trumpit”, ka thënë ai, ndërsa Steve Bannon, ish-strateg i Trumpit, ka pohuar se “mesazhi ishte për Netanyahun, jo për Hamasin”.
Ndërkohë që administrata aktuale e presidentit amerikan, Joe Biden ka zhvilluar diplomaci intensive për më shumë se një vit, shumë analistë argumentojnë se komentet dhe qëndrimi i Trumpit kanë qenë më vendimtare për këtë marrëveshje, veçanërisht për shkak të presionit ndaj Izraelit.
Kjo përforcohet edhe nga fakti që përpjekje të ngjashme diplomatike kishin dështuar më herët gjatë vitit 2024.
Trump menjëherë ka marrë meritat për marrëveshjen, ndërsa Biden, kur u pyet për këtë, është përgjigjur me një buzëqeshje dhe një pyetje retorike për seriozitetin e komentit.
Politico gjithashtu nënvizon se Netanyahu e ka marrë seriozisht paralajmërimin e Trumpit, duke pasur frikë humbjen e mbështetjes nga presidenti i ardhshëm i SHBA-së.
Një episod domethënës ishte kur i dërguari i Trumpit për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, insistoi të takohej me Netanyahun gjatë Shabatit, një gjë që e detyroi kryeministrin izraelit të thyente traditat fetare. Kjo ndodhi vetëm disa ditë para arritjes së marrëveshjes përfundimtare./ Politico, Telegraf
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.