Ngjarje

Si nisi zjarri në Kashar, detajet e ngjarjes ku humbi jetën roja i sigurisë

Katër ditë pas ngjarjes tragjike, ku 33-vjeçari Arjan Sala humbi jetën pas zjarrit në një magazinë në Kashar, pranë një qendre tregtare në hyrje të Tiranës, kanë dalë detaje të reja.

Nga hetimet e policisë, rezulton se zjarri dyshohet të ketë nisur si pasojë e një shkëndije elektrike nga një tel gjysmëpërcjellës, i cili lidhej me një ndriçues.

Po ashtu mësohet se zjarri është konstatuar nga punonjësit e magazinës, të cilët po shkarkonin një kamion.

Ndonëse ata kanë ndërhyrë me fikse dore për të neutralizuar zjarrin, për shkak të materialeve të djegshme plastike, vatra është riaktivizuar më fuqishëm, ku edhe ndërhyrja e zjarrfikësve ishte e vështirë, shkruan “Balkan web”.

Paralelisht, me dokumentimin e shkakut të zjarrit, po hetohet nga ana e policisë dhe prokurorisë edhe për shkaqet e vdekjes se 33-vjeçarit Arjan Sala, rojë sigurie në atë objekt.

Ndërkohë, po verifikohet nëse janë zbatuar si duhet masat kundër zjarrit në objekt dhe për faktin, nëse kanë qenë apo jo funksionale sinjalistikat dhe daljet e emergjencës.

Trupi i 33-vjecarit, u gjet dje gjatë natës në fund të magazinës pas një dere metalike të mbyllur, vetëm pas 50 orë kërkimesh.

Gjatë kësaj kohe, familjarët kanë hedhur akuza ndaj autoriteteve për mungesë logjistike dhe vonesë në kërkime.

Po ashtu, në grupin që intensifikoi kërkimet, morën pjesë edhe Shërbimet e Zjarrfikësve të Rinasit, të cilët pohuan se nuk ishin njoftuar nga eprorët për ndihmë, por se kishin ardhur në mënyrë vullnetare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë