Nga Manvir Singh– Më 1 prill, një ditë para se tarifat e reja të presidentit Donald Trump të trondisnin tregjet botërore, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, u bëri thirrje gazetarëve që të besonin në instinktin ekonomik të Presidentit. Në ditët që pasuan, mes rënies së indeksit të bursave dhe frikës për një recesion global, mbështetësit e tij online vazhdonin të përsërisnin një frazë të njohur në forumet e QAnon: “Besoni në planin”.
Për shumë ndjekës, Trump nuk ishte më thjesht një politikan. Ai ishte një gjeni strategjik, një lloj lojtari “shahu 4D” që i tejkalonte miliarderët si Bill Ackman apo Elon Musk, analistët që paralajmëronin për luftëra tregtare e humbje vendesh pune, si dhe 23 ekonomistët fitues të Nobelit që parashikuan “çmime më të larta, deficite më të mëdha dhe pabarazi më të theksuar”.
Në botën MAGA, ai kishte marrë përmasa mistike. Ungjilltarë si Julie Green nga Iowa shpallnin se Zoti i kishte folur për rrëzimin ekonomik para se të shpalleshin tarifat: “Ekonomia juaj është marrë peng nga armiqtë e brendshëm”, kishte thënë Zoti, sipas saj, “por pushteti i tyre po shembet para syve tuaj.”
Ky ishte një ndryshim rrënjësor nga epoka e politikanëve si Barack Obama, i cili në vitin 2018 pranoi me humor: “Më thoshin që flisja shumë gjatë, isha shumë akademik, shpjegoja gjithçka në hollësi.”
Politika e kohës së tij ishte e mbështetur mbi analizë, të dhëna dhe procedura. Por me kalimin e viteve, Trump dhe mbështetësit e tij kaluan nga administrimi tek profecia. Presidenti nuk shihej më si drejtues i ekzekutivit, por si një avatar hyjnor i dërguar për të nisur një luftë të shenjtë ndaj së keqes.
Ky shndërrim nuk është vetëm një çrregullim modern. Përkundrazi, është një shfaqje e një modeli të lashtë që haset në shumë kultura: profetët që shfaqen në kohë krize për të emërtuar armiqtë, për të premtuar pastrime dhe shpëtim të përkryer, dhe për të kthyer përmes sakrificës, parajsën e humbur.

Shembujt janë të shumtë. Në Ugandën e vitit 1987, një grua e thjeshtë e quajtur Alice Auma u kthye në profete ushtarake, duke udhëhequr mijëra ndjekës në luftë kundër qeverisë, në emër të një shpirti italian që ajo pretendonte se e kishte pushtuar. Në Afrikën e Jugut, në shekullin XIX, një vajzë adoleshente e quajtur Nongqawuse predikoi se europianët do të zhdukeshin dhe do të niste një epokë e artë, për aq kohë sa populli i saj të shfaroste bagëtinë dhe të digjte të mbjellat.
Në çdo rast, skema është e njohur. Në kohë pasigurie, lind frika dhe nevoja për një shpjegim metafizik të vuajtjes. Armiqtë përshkruhen si mëkatarë, të korruptuar, kanibalë, përdhunues fëmijësh. Dhe në të njëjtën kohë shfaqet shpëtimtari, një figurë e shenjtë që premton një të ardhme të pastër dhe të drejtë.
Në SHBA, kjo dinamikë është mishëruar nga QAnon, një teori konspirative që përshkruan një aleancë të fshehtë elitash pedofile dhe adhurues të Satanit që kontrollojnë qeverinë dhe mediat. Në këtë narrativë, Trump është i vetmi që mund ta ndalë këtë “kabale”. Një ditë, premtohet, do të vijë “Stuhia” momenti i gjykimit dhe pastrimit të madh.
Megjithëse parashikimet e QAnon nuk u përmbushën, lëvizja nuk u shua. Përkundrazi, ajo u shpërnda në format të reja, duke ndikuar në kultura të tjera alternative si yoga, wellness, astrologjia dhe TikTok-u okult. Besimi në autoritetin tradicional ka rënë ndjeshëm, duke lënë hapësirë për besime të tjera më të lashta dhe më intuitive.
Në këtë kontekst, shoqëritë nuk po institucionalizojnë më karizmën, siç përshkruante sociologu Max Weber, por po kthehen tek profetët. Trumpi është produkt i kësaj fryme, por ai nuk është i pazëvendësueshëm. Rreth tij kanë filluar të qarkullojnë figura të tjera që aspirojnë fronin. Djemtë e tij, figura të reja republikane si J.D. Vance apo strategë mediatikë si Steve Bannon dhe Tucker Carlson, i cili së fundmi ka deklaruar se është “sulmuar fizikisht nga një demon”.
Historia e Alice Aumës na mëson se edhe kur profetët bien, miti nuk vdes. Ai pëson mutacione, mbijeton në figura të reja, shpesh edhe më të ashpra e më të dhunshme. Në rastin e Ugandës, pas zhdukjes së Aumës, një tjetër profet, Joseph Kony, mori frenat, duke krijuar një nga lëvizjet më të përgjakshme në Afrikë: “Ushtrinë e Rezistencës së Zotit”
Nëse nuk adresohen shkaqet reale që çuan në ngritjen e Trumpit , pabarazitë, humbja e besimit në institucione, dhe etja për kuptim metafizik ai mund të jetë vetëm pararendësi i një figure tjetër, ndoshta më të zgjuar, më të ashpër dhe më shkatërruese. Dhe kjo e ardhme, për momentin, nuk duket më pak e mundshme se një e kaluar që kemi parë edhe në të shkuarën.
Burimi: The New Yorker
Manvir Singh, është profesor i asociuar i antropologjisë në Universitetin e Kalifornisë, Davis. Shkruan për The New Yorker që prej vitit 2022 mbi tema që përfshijnë evolucionin, shkencën njohëse dhe larminë kulturore. Ai është autor i librit “Shamanizmi: Feja e përjetshme.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.