Gazeta Si – Në dosjen shqiptaro-italiane të operacionit ndërkombëtar “Ura”, zbardhen detaje nga rrjeti i trafikut të drogës me bazë në Portin e Durrësit, i cili shpërndante heroinë drejt Italisë.
Hetimi, i zhvilluar në bashkëpunim mes antimafies italiane dhe Prokurorisë së Posaçme SPAK, ka identifikuar rolet kyçe në organizatë dhe mënyrën sesi droga fshihej dhe transportohej në mënyrë të përsëritur përmes trageteve.
Në krye të strukturës lokale qëndronte Adi Çoba, i cili menaxhonte operacionet nga Durrësi, i mbështetur nga bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Gertian (Gerti) Aliu.
Ky i fundit kishte vendosur kontaktet me furnitorët dhe koordinonte logjistikën e shpërndarjes së heroinës, shpesh edhe gjatë orëve të natës, duke shmangur kontrollet në port me ndihmën e operatorëve portualë të infiltruar.
Në dosje evidentohet se për trafikun ndërkombëtar të drogës, bosët e grupeve Adi Çoba, Erigels Presi, por edhe Gertin Aliu kishin pika të forta kontakti nëpër porte.
Ngarkesa e zbuluar – 2 kg heroinë
Më 21 janar 2021, autoritetet shqiptare zbuluan përmes përgjimeve një ngarkesë prej 2 kilogramësh heroinë, e porositur nga Gerti Aliu dhe e siguruar nga furnitorët Erigels Presi dhe Genci Telollari.
Sipas dosjes, droga, me një vlerë tregu prej 34 mijë euro, u dorëzua brenda një parkingu të qendrës tregtare në Tiranë nga Presi.
Për transportin u angazhua shoferi Arsen Leskaj, i cili figuron të ketë kryer një tjetër dërgesë më 22 dhjetor 2021.
Ky model operacional përsëritej: droga dorëzohej nga Presi, ngarkohej në mjete lundruese në portin e Durrësit dhe dërgohej drejt Italisë me traget, shpesh në mënyrë të maskuar mes mallrash të ligjshme.
Mekanizmi i trafikut
Përgjimet audio të përfshira në dosje japin një pamje të qartë të koordinimit mes palëve. Në një prej bisedave, Gerti Aliu shprehet:
“Po jo, nuk e marrin këta direkt, paratë ndahen me atë në traget… punohet në traget, e vënë pas një mbi një dhe dy me dy dhe pastaj e ngarkojnë në traget”. Deklarata përforcohet nga një tjetër bisedë me Erigels Presin, i cili tregon:
“Unë e pyeta Adin dhe i thashë: ‘Po si?’. Ai më përgjigj: ‘Ej, bishë, në traget… punohet në traget, e vënë mbi një mbi një, me dy me dy dhe pastaj e ngarkojnë në traget!’”.
Bashkëpunimi Adi Çoba-“Visi Pojës”
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë zbardhur dhe dokumentuar verifikimin e bashkëpunimit mes Adi Çobës, i cili siguronte kokainë dhe heroinë nga Turqia me Ervis Doçin të njohur si Visi i Pojës (Nipi i Xhevdet Troplinit). Në këto komunikime, provohet realizimi i dërgesës së 8 kg kokainë nga Gjermania drejt Italisë.
Falë një marrëveshje të bërë me Adi Çobën, “Visi i Pojës” më 5 gusht të vitit 2020 dërgoi në Itali nëpërmjet një korrieri një sasi prej 8 kg kokainë, e cila i është dorëzuar fizikisht Agron Ganajt në Bari.
SPAK sqaron se përmbajtja e bisedës mes tyre është e shoqëruar me fotografi duke mos lënë asnjë dyshim mbi aktivitetin kriminal të kryer prej tyre.
Pas kontaktit që Adi Çoba kishte patur me shtetasin italian Angello Zanzarelli, “Visi i Pojës” i kishte shkruar Adi Çobës duke i dhënë udhëzime mbi mënyrën e dorëzimit të parave dhe vendodhjen e preferuar për shkarkimin e lëndës narkotike, sipas tij më së miri do të ishte një oborr.
“Vendosi një shenjë…”
“Sot është dita që duhet të ngarkojë dhe të them (…) është në Gjermani, shoh (…) 8 copë, i kemi bashkë (…) 4+4 (…) pasnesër do të vijë ke ty (…) jepi shoferit paratë çfarë ke (…) mik, paketoja paratë në qese me vakuum, pasi ai duhet të marrë edhe të tjera (…) dhe vendos një shenjë (…) ose të paktën një oborr privat (…) përveç garazhit”, – thuhet në mesazhin që “Visi i Pojës” i ka dërguar Adi Çobës.
Në këtë mënyrë, u konstatua se 8 kg kokainë mbërritën në Itali falë marrëveshjes mes Çobës dhe Ervis Doçit, i cili për shkak të fuqisë së tij dhe grupit kriminal të organizuar, kishte arritur ta gjende lëndën narkotike në Gjermani dhe ta niste drejt Italisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.