“Në Indi ka pak raste të reja me Covid 19 dhe një hipotezë: imuniteti i tufës u arrit”. Kështu raportonte shtypi europian dhe botëror para tre muajsh.
Në atë kohë, të dhënat dukeshin shumë inkurajuese: 10,974 raste pozitive dhe 86 vdekje në 24 orë në një vend që ka një miliard e 340 milionë banorë.
Një shifër, e cila në shkurt kishte rënë nën 10 mijë infeksione në ditë. Dhe kjo, pavarësisht nga fakti se vaksinimi masiv nuk ishte filluar në vendin që ka dhjetëra miliona doza rezervë dhe mund të prodhojë 50 milionë në muaj.
Aq sa qeveria e Nju Dehlit, ka dërguar 34 milionë vaksina në tridhjetë vende, tek më të varfrit falas, te të tjerët mbi baza tregtare. Në atë kohë, virologët supozuan se 25% e banorëve kishin kaluar sëmundjen dhe se në disa zona ishte arritur imuniteti i tufës.
Iluzioni, megjithatë, nuk zgjati shumë. Në fund të shkurtit të këtij viti, infeksionet filluan të rriten përsëri, deri në shifrat e pabesueshme të 24 orëve të fundit, me rreth 3.600 vdekje dhe mbi 400 mijë raste pozitive në një ditë. Një rekord i zi botëror!
Një rritje e papritur: në vetëm dy javë, nga fundi i marsit, deri në mes të prillit, vendi aziatik ka kaluar nga më pak se 15,000 raste të reja në ditë, në mbi 200,000.
Si erdhi kjo situatë, kur vetëm në fillim të marsit, Ministri Indian i Shëndetësisë, Harsh Vardhan, siguroi triumfalisht se pandemia në vend ishte “drejt fundit” dhe përmendi udhëheqjen e kryeministrit Narendra Modi, si një “shembull për botën e bashkëpunimit ndërkombëtar”?.
Hipotezat mbi ecurinë e infeksioneve

Ekspertët rendisin tre arsye që mund të kenë përmbysur pamjen pandemike kaq shpejt. E para, është që në fund të shkurtit, filloi një fushatë e ngushtë elektorale, me tubime oqeanike (dhe pak maska), në funksion të votimit që përfshin 186 milionë qytetarë në pesë shtete.
Këto përfshijnë, Uttar Pradesh, më të populluarin dhe ndër më të prekurit në vend. Më 6 prill, për shembull, 800,000 njerëz morën pjesë në një takim të mbajtur nga kryeministri Modi në Bengalin Perëndimor dhe shumë pak prej tyre kishin maska.
Një shtytje tjetër për përhapjen e infeksioneve, erdhi nga tubimet e mëdha sportive dhe fetare: nga ndeshja e kriketit midis Indisë dhe Anglisë në Gujarat, me mbi 130 mijë tifozë në stadiumin e mbushur me njerëz, kryesisht pa maska, te miliona pelegrinë që zhyten në Ganges për Kumbh Mela: për gati dy muaj e gjysmë, me pikun prej 2.5 milionë njerëz që konvergojnë në një ditë të vetme në një qytet të vetëm, në Haridwar, në datat kryesore.
Faktori i tretë që mund të shpjegojë dhunën e kësaj vale të dytë, është varianti “indian”, megjithëse autoritetet lokale tentojnë të minimizojnë fushën e saj dhe mungesa e të dhënave lë hapësirë për dyshime.
Në një hulumtim të publikuar më 15 prill në faqen e internetit të “outbreak.info”, B.1.617 (siç quhet) u gjet në 24% të indianëve të infektuar (testet e mostrave të kryera midis shkurtit dhe marsit) kundrejt 13% të variantit britanik.
Ftesa për t’u vaksinuar “pa hezitim”

Për të rregulluar situatën, kryeministri Modi u bëri thirrje qytetarëve të “vaksinohen pa hezitim”, domethënë “pa dëgjuar zëra ose kritika” në lidhje me vetë vaksinat.
Deri më tani, më pak se 2% e popullsisë, është imunizuar plotësisht kundër Covid-19 dhe rreth 10% kanë marrë një dozë të vetme. Një lloj ndryshimi ingranazhesh për një udhëheqës, i cili ka kohë që lëkundet midis mohimit dhe realizmit melodramatik, siç kujtojnë deklaratat e vitit 2020: nxitja “për njerëzit” që t’u bien zileve ose të dalin në ballkone, duke goditur tenxhere në nderim të punonjësve “heroikë” shëndetësorë (kur Ministria e Shëndetësisë eksporton aparate për frymëmarrje); adoptimi i vonë i maskave (29 prill); dhe ftesa (19 qershor, dy ditë para Ditës Kombëtare të Disiplinës) për të përdorur “yoga Ayurvedic” dhe mbrojtjen e saj (“rrethi i zjarrit”, ose “mburoja e padukshme”) kundër patogjenit si “pushtues”, ndërsa prova bindëse për efikasitetin imunologjik (përmes placebos) dhe atij praktik është akoma larg.
Deri më tani, vaksinat qeveritare kanë qenë falas dhe spitalet private janë lejuar të shesin doza për një çmim të kufizuar prej 250 rupi, rreth 3 dollarë.
Kjo praktikë, tani do të ndryshojë: çmimet për qeveritë shtetërore dhe spitalet private do të përcaktohen nga kompanitë e vaksinave.
Disa shtete mund të mos jenë në gjendje të sigurojnë vaksina falas, pasi paguajnë dyfish qeverinë federale për të njëjtin injeksion dhe çmimet në spitalet private mund të rriten.
Përshtati në shqip: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje