Serbia është tanimë vendi i dytë pas Britanisë për numrin e të vaksinuarve në Europë, duke kaluar kështu edhe vende si Gjermania dhe Franca, dhe e gjitha kjo falë vaksinave kineze…
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç e ka krahasuar shpërndarjen e vaksinave kundër Covid-19 në Europë me fundosjen e Titanikut, duke thënë se të pasurit po shpëtohen ndërsa të varfrit e Ballkanit po lihen të mbyten. Serbia i është drejtuar Kinës për marrjen e vaksinave, duke thënë se ka pak shpresa për të marrë furnizime me vaksinave nga Bashkimi Europian.
Falë Kinës dhe shpërndarjes së një milion dozave të vaksinës së saj Sinopharm, programi i vaksinimit i Serbisë po vazhdon me shpejtësi.
Beogradi po importon vaksinën kineze inopharm e cila është aprovuar gjithashtu në Emiratet e Bashkuara Arabe. Kina ka deklaruar se ajo ofron një mbrojtjeje nga 79-86% sipas rezultateve të provave klinike.
Blerja e vaksinave kineze ka dhënë popullatës serbe shpërndarjen e dytë më të shpejtë në Europë me 4.6 doza për njëqind njerëz , duke u renditur menjëherë pas Mbretërisë së Bashkuar dhe përpara kombeve më të mëdha të BE-së.
Aleanca e Serbisë me Kinën është e rrënjosur thellë, pasi Pekini ka investuar masivisht në një vend që shpreson të bëhet qendra e rrugës tregtare midis Kinës dhe Bashkimit Europian.
Duke iu përgjigjur kritikëve të strategjisë së tij të vaksinimit, Vuçiç tha se ai po garon në një luftë globale për vaksinat në të cilat kombet e varfra po lihen pas.
"Bota ka goditur një ajsberg, si Titaniku, të pasurit dhe më të pasurit vetëm po ruajnë vetëm veten dhe të dashurit e tyre," ka thënë ai. "Ata kanë përgatitur varka shpëtimi të shtrenjta për ta dhe ata që nuk janë të pasur, të cilët janë të vegjël, si vendet e Ballkanit Perëndimor, po mbyten së bashku me Titanikun. Kjo mund të mos jetë qëllimi i tyre, por ne nuk jemi të rëndësishëm për ta".
Serbia tani ka marrë deri më tani 10,000 dozash nga Pfizer, por Vuçiç tha se Beogradi do të vazhdojë të furnizohet me vaksinën kineze.
Pekini ka dërguar në Serbi një milion doza të kësaj vaksine, duke i mundësuar Beogradit të niste javën e kaluar medhe vaksinimin masiv të popullsisë. Vaksina ka disa përparësi: është më lirë të prodhohet dhe nuk kërkon kushte të vështira ruajtje si vaksinat e mARN të zhvilluara nga BioNTech-Pfizer ose
"Vaksina më e mirë është ajo që mund të kemi në dispozicion," thotë ministrja serbe e administratës publike dhe vetëqeverisjes lokale, Marija Obradoviç. Ajo vlerëson se rreth 35,000 doza vaksine po shpërndahen çdo ditë. Deri të dielën e kaluar, në Serbi ishin vaksinuar 180,000 qytetarë.
Vuçiç kishte pritur personalisht shpërndarjen e dozave të vaksinës në aeroportin e Beogradit, duke shprehur mirënjohjen e tij ndaj Kinës para kamerave. Në shtypin pro-qeveritar të Serbisë, Vuçiç u paraqit si shpëtimtari i kombit, duke negociuar pa u lodhur me qeveritë dhe autoritetet e huaja për të siguruar vaksinat e koronavirusit.
Edhe pse statistikat zyrtare tregojnë se situata është nën kontroll, numri i përsonave që kanë humbur jetën ose janë prekur nga koronavirusi në Serbi mendohet të jetë shumë më i lartë sesa shifrat zyrtare. Sipas burimeve shtetërore, 384,000 nga 7 milion qytetarë të vendit kanë marrë sëmundjen dhe 3,886 persona që kanë vdekur direkt ose indirekt nga virusi.
Presidenti Vuçiç ka premtuar të krijojë fabrika për të filluar prodhimin e vaksinave në vend, siç u bë në kohën e ish Jugosllavia. Sipas raporteve të medias, pajisjet e kërkuara do të sigurohen nga Moska, pasi Serbia synon të prodhojë vaksinën e Rusisë Sputnik V. Derisa kapacitetet e prodhimit të rriten, Serbia do të marrë qindra mijëra doza nga Moska.
“Dorëzimi i dozave të vaksinës Sinopharm në Serbi është në fakt një arritje e madhe propagandistike për Kinën”, thotë analisti politik Jaksa Scekic. Ai thotë se ndërsa shtetet perëndimore kanë arritur të sigurojnë vetëm disa mijëra doza vaksinash Pfizer-BioNTech gjatë javës së kaluar, Kina po furnizon në masë vendet që kanë kërkuar ndihmën e saj.
Scekic thotë se shumë serbë tani e shikojnë Kinën si një mik të vërtetë që i ka mbështetur në kohë të vështira. Ai thotë se Kina dhe Rusia po instrumentalizojnë shpërndarjet e vaksinave për qëllime politike.
“Lufta kundër Covid-19 ka krijuar rivalitet midis fuqive të mëdh dhe shumë serbë e konsiderojnë Kinën si udhëheqëse.”, thekson Scekic.
Në të njëjtën kohë, thotë ai, serbët po humbin besimin në aftësinë e BE për të ndërmarrë veprime vendimtare. "Ne po përballemi me një krizë ekzistenciale.Tani kemi nevojë për ndihmë nga jashtë, por kjo ndihmë nuk po sigurohet nga Perëndimi, por nga Kina dhe Rusia."
Serbia dhe Shqipëria janë vendet e vetme në Ballkanin Perëndimor që kanë filluar një program vaksinimi. Bosnja, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë ende duke pritur për ndonjë dërgesë të madhe të vaksinave nga jashtë.
Kina po përpiqet të përfitojë nga situata, duke u shfaqur si një partner efektiv, duke triumfuar ashtu ku Europa po dështon. Vendet e tjera në Europën Qendrore dhe Juglindore gjithashtu po riorientohen drejt Lindjes. Edhe shteti anëtar i BE-së Hungaria, si dhe Turqia, shpresojnë të marrin ndihmën kineze dhe ruse në luftimin e pandemisë, thotë Pantic.
*Burimet: "Euronews", "DW Serbie", "N92"/ Përshtati Gazeta Si/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.