Rend dhe Ligj

Si i riu nga Durrësi mashtroi bankat dhe përfitoi mbi 15 mln lekë si paga lufte

Paraditen e të hënës, siç dhe ka vepruar gjatë gjashtë muajve të fundit, Denis Trungu u paraqit në një nga filialet e një banke që gjendet në Kombinat dhe kërkoi ta ndihmonin të hapte një llogari rrjedhëse. Kjo ishte një nga llogaritë e shumta që ai po hapte nën justifikimin se priste pagën e luftës. Llogaria duhet të ishte në lek sipas tij. Ai deklaroi se kjo llogari i nevojitej për marrjen e pagës së luftës, e vendosur nga qeveria gjatë pandemisë së covid-19.

Por 32-vjeçari nga Durrësi kërkoi po ashtu t’i aktivizohej dhe shërbimi bankar dixhital ku ai të kontrollonte online të dhënat personale të tijat dhe kryerjen e çdo transaksioni online, një platformë kjo që ofrohet dhe është e instaluar nga çdo bankë.

Sipas burimeve të policisë, 32-vjecari që jeton në kryeqytet dhe merret me riparimin e kompjuterëve dhe shpesh si It, rezulton të ketë kryer 36 transaksione bankare, që të gjitha të tërhequra nga shërbimi dixhital banking. I riu që tashmë gjendet i arrestuar nga zyra për parandalimin e mashtrimeve dyshohet se këto transaksione i krye në formën e transfertave online me destinacion disa llogari bankare tha një burim i gazetës Si, llogari që ju përkasin bankave të nivelit të dytë.

Hetimi i Policisë së Shtetit nisi pas një kallëzimi nga një bankë në kryeqytet që njoftoi se nga llogaria rrjedhëse e Denis Trungut janë kryer transaksione të shumta.

“Llogaria e klientit nuk ka pasur asnjë kreditim nga periudha e hapjes. Fondet për kryerjen e këtyre  transfertave janë marrë në mënyrë të parregullt duke kaluar gjendjen e llogarisë në minus lekë për përfitim të paligjshëm”, thekson një burim bankar i gazetës Si.

Policia e Shtetit pranon në rrugë zyrtare se nga aksioni platforma  se 32-vjeçari rezulton me precedentë të mëparshëm kriminalë, në fushën e vetgjyqësisë. Po ashtu i riu rezulton i dënuar me tre muaj burg për kundërshtim të vendimeve të gjykatës dhe me nëntë muaj burg për mashtrim. Dyshohet se Denis Trungu ka përvetësuar një vlerë monetare prej mbi 15 milionë lekë si paga lufte. Teksa rezulton se dalja e tij e fundit nga Shqipëria sipas burimeve të gazetës Si ka ndodhur në qershor 2020, Policia e Shtetit këmbëngul se rezulton e provuar që disa nga këto shuma ai i ka tërhequr jashtë territorit të vendit. Nuk jepen detaje nëse ai është i vetëm në këtë skemë hetimi, por menjëherë sapo materialet t’i kalojnë prokurorisë çështja do të regjistrohet për mashtrim kompjuterik me shumë të mëdha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë