Dosje

Si funksiononte rrjeti i drogës nga Dritan Gjika me kompani në Ekuador e Spanjë. Lidhja me FARC dhe Los Choneros

Policia e Ekuadorit dhe e Spanjës i dhanë një goditje mafies shqiptare më 6 shkurt, me një operacion të përbashkët, ku u arrestuan 30 persona për lidhjen e tyre të dyshuar me dërgimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë dhe pastrim parash, prej të paktën 32 milionë dollarë. Megjithatë, kreun i organizatës, Dritan Gjika, nuk është kapur ende

Gazeta Si - Organizata kriminale që u çmontua një ditë më parë (e martë, 6 shkurt), në një mega-operacion të vendosur në Ekuador dhe Spanjë, iu dedikua trafikut ndërkombëtar të drogës.

Dritan Gjika, një shqiptar nën hetim edhe më herët në Ekuador, drejtonte këtë strukturë që lëvizte drogën nga Valle del Cauca, Kolumbi.

Lënda narkotike pastaj hynte në Ekuador nga toka dhe fshihej në qendrat e grumbullimit para se të nisej nga portet e Ekuadorit drejt Europës.

Policia bëri me dije se Dritan Gjika nuk është kapur, por dyshohet për vendndodhjen e tij. "Koordinimi po kryhet në bashkëpunim kolegët tanë në Spanjë", - tha Willian Villarroel.

ID ekuadoriane e shqiptarit Dritan Gjika

Gjenerali Villarroel, kreu i Drejtorisë Kombëtare të Hetimit kundër Drogës të Ekuadorit, dha detaje për operacionin policor në një konferencë për shtyp.

Ai përcaktoi se Gijka, 47 vjeç, e kishte formuar këtë strukturë si një korporatë. Shqiptari ishte në krye të drejtimit të gjithë procesit të trafikut të drogës.

Detyrat e tij varionin nga miratimi i porosive të kokainës të bëra në laboratorët në Kolumbi, deri te mbyllja e shitjeve në Evropë dhe gjurmimi i mënyrës së pastrimit të parave, raporton Gazetasi.al.

Villarroel shpjegoi se organizata kishte gjashtë kompani në Ekuador dhe katër në Spanjë "me një aktivitet të madh tregtar që lehtësonte pastrimin e parave" dhe midis të cilave ata tregtonin dërgesa banane ku droga ishte e kamufluar.

Shtetasi me origjinë kineze, që është mes të arrestuarve, dyshohet se ka pasur funksionin e kryerjes së pagesave, nëpërmjet një sistemi ku kartëmonedhat në Ekuador shoqëroheshin me një kod. Oficeri shpjegoi se nën urdhrat e Gijkës, kishte kriminelë të tjerë me funksione specifike.

Dy koordinatorë të menaxhmentit, njëri argjentinas dhe tjetri shqiptar, të cilët ishin përgjegjës për lidhjet e korporatave.

Ata, për shembull, bënin marrëveshje të ndryshme me grupe kriminale, si disidentët e guerrilasve të Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC).

Gjithashtu, Gjika drejtonte edhe dy koordinatorë të tjerë të logjistikës, të cilët drejtuan transportin e alkaloidit nga Kolumbia në Carchi.

Këta të dy, kishin gjithashtu detyrën e sigurimit të mallit që ndiqte rrugën tokësore, derisa të arrinte në qendrat e grumbullimit të vendosura në Cotopaxi, Los Ríos dhe Guayas (Ekuador).

Gjenerali Willian Villarroel, kreu i Drejtorisë Kombëtare të Hetimit kundër Drogës të Ekuadorit (djathtas) dhe kreu i Seksionit Operativ të Brigadës Qendrore të Pastrimit të Parave të Policisë Kombëtare Spanjolle, Daniel Vázquez në konferencë për shtyp pas operacionit

Në këto territore, struktura kriminale e Gijkës, koordinohej me grupin kriminal – sot të konsideruar terrorist – Los Choneros. Ky i fundit, siguronte dhe gjurmonte rrugët për të çuar lëndët narkotike të paprekura në porte.

Aty droga ishte e kamufluar në ngarkesa me banane që eksportoheshin në anije me destinacion Spanjën, Belgjikën, Holandën, Turqinë dhe Shqipërinë.

Policia e Ekuadorit pohon se kjo organizatë “kishte informacion të privilegjuar mbi dokumentet detare të tregtisë së jashtme, gjë që e bënte më të lehtë për ta futjen e disa kontejnerëve në javë”.

“Falë profilit të tyre si biznesmenë të suksesshëm, ata kanë arritur të hyjnë në territorin e Ekuadorit përmes kompanive të tyre me paratë e fituara nga shitja e alkaloidit në Evropë”, tha policia.

Gjithashtu, zyrtari policor, vuri në dukje se gjatë kohës së hetimit, është bërë e mundur gjurmimi i lëvizjes së parave në sistemin financiar të Ekuadorit, nëpërmjet disa personave fizikë dhe juridikë, të cilët kanë fituar pasuri të ndryshme të luajtshme dhe të paluajtshme për të pastruar më shumë se 30 milionë dollarë.

Nga ana e tij, kreu i Seksionit Operativ të Brigadës Qendrore të Pastrimit të Parave të Policisë Kombëtare Spanjolle, Daniel Vázquez, e përshkroi këtë operacion si një moment historik në bashkëpunimin policor midis Ekuadorit dhe Spanjës për shkak të suksesit të tij dhe siguroi se ka arritur të çmontojë si strukturat financiare, ashtu edhe ato të trafikut të drogës të kësaj organizate.

Emri i shqiptarit Dritan Gjika ndodhej në “radarin” e drejtësisë ekuadoriane, pasi ai ishte i lidhur me Rubén Cherres, kunati i ish-prsidentit Gulliermo Lasso, i cili akuzohej për ndërhyrje në kompani publike dhe që u vra 31 marsin e vitit 2023.

Gjika, me origjinë nga Shkodra dhe i vendosur prej 9 vitesh në Ekuador, ka një ID ekuadoriane dhe ka drejtuar biznese nga ky vend, një prej tyre i lidhur me një kompani importuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë