Arsim

Si funksionon platforma që do u mësojë nxënësve disa lëndë në 1 orë mësimi nëpërmjet animacioneve (Por në Shqipëri s’është miratuar ende)

Nga Gazeta Si- Agjencia e sigurimit të cilësisë së arsimit parauniversitar ka publikuar udhëzuesin me të dhëna detajuara për platformën Phet SIMULATION që do të kombinojë lëndët e shkencave të natyrës nëpërmjet animacioneve.

Nxënësit nga klasa e gjashtë në të nëntën do të mësojnë në 1 orë kimi, fizikë, biologji dhe matematikë nëpërmjet platformës.

Platforma Phet SIMULATIONS mundëson laboratorë virtualë, testime, ushtrime në shkenca dhe matematikë, është pa pagesë dhe mësuesit e shkencave mund ta përdorin si mjet ndihmës, ku nxënësit për të mësuar shkencën dhe matematikën do t’iu shërbejnë animacionet dhe simulimet interaktive.

Në udhëzimin e bërë tashmë gati nga Agjencia thuhet se kjo platformë  thjeshton mënyrën e të  mësuarit si për nxënësit ashtu edhe për mësuesit.

Një shembull se si do të funksionojë Phet Simulation.

PhET SIMULATIONS  zëvendëson eksperimentet që zhvillohen në kushte laboratorike dhe kjo praktikë mësimore është përdorur vitet e fundit edhe për hartimin e njësive interaktive për pjesën e shkencave të natyrës në testimin PISA.

Për çdo lëndë të shkencave të natyrës, nxënësit do të munden që nëpërmjet simulimeve të kuptojnë më mirë mësimin. Demonstrimet apo vizualizimet e dukurive të ndryshme fizike, kimike, etj. , si dhe punët laboratorike virtuale janë krijuar për të ndihmuar nxënësit të zhvillojnë aftësi të reja kërkimore shkencore, duke e ndërthurur me mësimin tradicional.

Në udhëzues parashikohen sfidat që do të ndeshen arsimtarët, ku do ju duhet kohë për të fituar aftësi në përdorimin e platformës për tua shpjeguar lehtësisht më pas edhe nxënësve.

Platforma Phet simulations u themelua në vitin 2002 nga laureati i Nobelit Carl Wieman. PHET SIMULATION u konceptua për të përmirësuar mësimdhënien dhe nxënien e shkencave të natyrës. Misioni i tij ishte "Tu mësojmë nxënësve dhe studentëve shkencën dhe matematikën në mbarë botën përmes simulimeve interaktive falas".PhET-i është një grup simulimesh kompjuterike interaktive të bazuara në kërkime për mësimdhënien dhe nxënien e fizikës, matematikës, kimisë dhe biologjisë. Ato theksojnë lidhjet midis dukurive të jetës reale dhe njohurive shkencore të lëndëve si dhe ndihmojnë që modelet vizuale dhe konceptuale të shkencëtarëve ekspertë të jenë të aksesueshme për nxënësit.

Simulimet janë përkthyer në rreth 90 gjuhë të botës dhe në gjuhën shqipe që në fillimin e krijimit të kësaj platforme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë