Njerez

Si është Michael Schumacher? Nuk flet më dhe ndihmohet nga 20 persona

Po qarkullojnë thashetheme rreth shëndetit të ish-garuesit gjerman, i cili gati sa nuk vdiq në një aksident me ski në Meribel në vitin 2013. Disa janë optimistë, ndërsa të tjerë po humbasin shpresat e fundit

Gazeta Si – Koha kalon, por informacionet e përditësuara mbeten të pakta. Michael Schumacher, 56 vjeç, pothuajse vdiq në një aksident të tmerrshëm, ndërsa bënte ski në Meribel të Francës, në vitin 2013.

Që atëherë, ai nuk është shfaqur në publik, i ndihmuar dhe i mbështetur nga gruaja e tij, Corinna, e cila mbron me kujdes privatësinë e tij dhe familjes.

Personi i fundit që foli për shëndetin e ish-pilotit shtatë herë kampion bote në Formula 1, ishte gazetari i “L’Equipe”, Stefan L’Hermitte: “Këtë vit ai firmosi mbi një kaskë. Ishte për një aktivitet bamirësie”, – i tha ai RTL. “A ia mbajti dorën gruaja e tij? Nuk e dimë me siguri, por është hera e parë që kemi marrë një sinjal pozitiv, pothuajse një shenjë jete”.

Britanikja “Daily Mail” kishte publikuar lajmin se legjenda gjermane kishte nënshkruar mbi një kaskë piloti makinash për F1 për të mbledhur fonde bamirësie për “Race Against Demence” të Sir Jackie Stewart.

Gazetari Jonathan McEvoy zbuloi se gruaja e tij, Corinne ia kishte mbështetur dorën për ta ndihmuar të shtonte inicialet e tij, “MS” tek ato të të gjithë kampionëve të tjerë të gjallë të botës: “Nuk do të thoja se po ia del mirë, por ndoshta po ia del pak më mirë”, vazhdoi Stefan L’Hermitte.

“Lajmet e vetme të vërteta vijnë nga familja e tij, dhe kjo është gjithmonë shumë e rëndësishme, sepse lajmet e reja nga jashtë ndoshta nuk vlejnë shumë”.

Askush  në të vërtetë nuk e kupton se si është gjendja shëndetësore e Schumacherit. Marsin e kaluar, gazetari i transmetuesit gjerman RTL, Felix Gorner, zbuloi se gjermani “nuk mund të komunikojë më verbalisht. Situata është shumë e trishtueshme”, tha ai.

“Ai kërkon kujdes të vazhdueshëm dhe është plotësisht i varur nga asistentët e tij. Dhe nuk mund të shprehet më verbalisht. Aktualisht, ka një maksimum prej 20 personash që mund ta ndihmojnë Michaelin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë