Mikhail Gorbachev jetoi mjaftueshëm gjatë për të parë se gjithçka që ai ishte përpjekur të arrinte të ndërtonte në politikë për Rusinë, rusët e për paqen, të shkërmoqej e të hidhej në erë.
Epoka e vetëpërmbajtjes dhe e kontrollit të armëve midis Uashingtonit dhe Moskës, të cilën e nisi Gorbachev është zëvendësuar tashmë nga një luftë e përgjakshme në Ukrainë, në të cilën armatimet e SHBA dhe NATO-s po vihen përballë forcave ruse, me rrezikun shoqërues të një përplasjeje të drejtpërdrejt midis superfuqive bërthamore, qoftë si pasojë e një aksidenti, qoftë nga një llogaritje e gabuar, apo edhe e synuar.
Në kohën kur Gorbachev dha dorëheqjen në fund të vitit 1991, kufiri mes NATO dhe Bashkimit Sovjetik nuk ishte më një zonë tensioni. NATO-ja tërhoqi të gjitha armatimet e rënda, përveç disa mijëra trupave nga krahu lindor dhe tmerret e Luftës së Ftohtë u duk sikur u vulosën në librat e historisë. Por, në vazhdën e pushtimit të Ukrainës në shkurt, NATO ka rritur trupat e armatimet drejt lindjes, duke mobilizuar 40,000 trupa nën komandën e saj të drejtpërdrejtë, me plane për të vënë 300,000 në gatishmëri të lartë.
Gorbachev, i cili ishte 91 vjeç dhe tashmë në gjendje të keqe shëndetësore kur filloi pushtimi, lëshoi një deklaratë përmes fondacionit të tij në ditët pas ofensivës gjithëpërfshirëse të Rusisë duke bërë thirrje për “një ndërprerje të menjëhershme të luftimeve fillim të menjëhershëm të negociatave të paqes”.
“Nuk ka asgjë më të çmuar në botë se jetët njerëzore”, thuhet në deklaratë.
Një gazetar që kishte qëndruar pranë Gorbachev tha në korrik se ish-udhëheqësi sovjetik ishte “i mërzitur” nga ajo që pa.
“Reformat e Gorbachev – politike, jo ekonomike – u shkatërruan të gjitha”, tha gazetari Alexei Venediktov, redaktor i stacionit radiofonik Ekho Moskvy.
Ish-përkthyesi i Gorbachev, Pavel Palazhchenko, i cili punon për qendrën e mendimit Gorbachev Center, i tha Fox News dy ditë para pushtimit: “Ai gjithmonë paralajmëroi për një konflikt midis Rusisë dhe Ukrainës. Gjithmonë u përpoq që të afronte dy vendet, por ajo që pa tani së fundmi ishte e rëndë për të”.
Gorbachev ishte një kampion i kontrollit të armëve dhe madje diskutoi eliminimin e mundshëm të armëve bërthamore me Ronald Reganin në samitin e Rejkjavikut në vitin 1986. Tani, marrëveshja e fundit e mbetur midis SHBA dhe Rusisë për kufizimin e armëve bërthamore po gërryhet nga pezullimi i inspektimeve të ndërsjella nga Rusia. Të dy vendet po modernizojnë arsenalet e tyre dhe Putini ka vënë në dukje kërcënimin e përdorimit bërthamor. Këtë vit, numri i kokave bërthamore në mbarë botën do të rritet për herë të parë që nga Lufta e Ftohtë.
Gorbachev shpresonte të ndryshonte rrënjësisht mendësinë e një vendi që nuk e kishte përjetuar kurrë demokracinë, pasi kishte kaluar drejtpërdrejt nga diktaturat perandorake në diktaturat bolshevike. Ditët e fundit të Bashkimit Sovjetik nën politikën e glasnost (hapjes) të Gorbaçovit ishin më të favorshme për lirinë e shprehjes sesa Rusia e Putinit, ku çdo shenjë kritike mund të sjellë një dënim me burg.
Njerëz janë burgosur sepse mbanin në mënyrë ironike një copë kartë bosh. Stacioni radiofonik i Venediktov Ekho Moskvy u mbyll dhe gazetari hebre gjeti një kokë derri dhe abuzim antisemitik jashtë banesës së tij.
Gorbachev mbylli kampet gulake; Kundërshtari kryesor i Putinit, Alexei Navalny, pasi i mbijetoi helmimit, aktualisht po lëngon në kamp të ngjashëm, ku është futur në izolim për herë të tretë brenda një muaji.
Gorbachev ishte gjithnjë e më i kujdesshëm për atë që thoshte për Putinin në publik dhe e lavdëroi atë për konsolidimin e shtetit rus pas kaosit të Presidencës së Boris Jeltzin. Por në vitin 2011, ai kishte një paralajmërim për atë që do të vinte.
“Ndoshta është e kuptueshme që gjatë fazës fillestare ai përdori disa metoda autoritare në udhëheqjen e tij, por mendoj se është e gabuar që metodat autoritare të vazhdojnë të përdoren”, tha ai në një ngjarje publike në SHBA.
“Kudo që të shkoni … ju shihni se atje ku keni liderë që sundojnë për 20 vjet ose më shumë … e vetmja gjë që është e rëndësishme në situata të tilla për ata udhëheqës dhe njerëzit përreth tyre është mbajtja e pushtetit,” tha ai. “Unë besoj se kjo është diçka që po ndodh tani në vendin tonë”, shpjegonte Gorbachev.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.