Opinion

Si e mposhti ERTV tërmetin

Prej 24 orësh ekranet e televizioneve janë pushtuar nga daljet e njëpasnjëshme të kryeministrit Edi Rama me mbledhje qeverie në orët e vona të natës, me lajmet se anuloi udhëtimin përtej Atlantikut dhe me mbledhjet me grupin parlamentar të PS-së, kryetarët e bashkive prefektët, infermierët, mjekët dhe këdo që i dilte përpara, një ditë pas tërmetit kur edhe duhej ndërhyrë për t’u ardhur në ndihmë njerëzve e për të folur më pak. Për herë të parë kryeministri transmetoi një mbledhje live të qeverisë dhe të grupit parlamentar të PS-së. Qeveria deshte të tregonte se po punon dhe është pranë njerëzve që janë trembur nga paniku, por edhe atyre që gjenden në qiell të hapur, duke fjetur në ato pak çadra të hapura përreth Stadiumit të Durrësit.
Lëkundjen e forta u ndjenë edhe gjatë mbledhjes së qeverisë, por ministrat pavarësisht se deklaruan se rreziku kishte kaluar, preferuan që të vijonin raportimin për të treguar se nuk tremben.
Për më shumë se pesë orë Rama doli në çdo televizion dhe me transmetimin në ERTV, i cili vazhdoi edhe përtej 5 orëve; në Spitalin e Traumës, më pas nga Tirana në Durrës me grupin e deputetëve për të ndarë zonën e mbulimit. Në këtë situatë, qeveria u gjend edhe përballë kërkesës së opozitës për shpalljen e gjendjes së emergjencës, por asnjë reagim nga shtabi i qeverisë. Rama urdhëroi hapjen e stadiumit dhe ngritjen e disa çadrave për të kontaktuar njerëzit, edhe pse siç deklaroi vetë, ka 700 shtretër në qendrat e pushimeve të kavalishencave. Por pas takimit në Stadiumin e Durrësit, Ministria e Mbrojtjes do të lajmëronte se efektivët realizuan montimin e çadrave me kapacitet me 30 persona. Fare mirë mund të organizonte strukturat për t’i dërguar njerëzit e strehuar në çadra drejt dy rezidencave qeveritare të kavalishencave, pasi 700 shtretër aty janë bosh. Por jo, pamja e cadrave ushtarake dhe shtabeve në terren ishte një pamje më piktoreske!
Pikërisht në Durrës, një banor do t’i kërkonte Ramës të ishte larg medias, duke iu drejtuar me shprehjen “shyqyr që të kemi ne ty, lëri këta”. Kryeministri si i zënë ngushtë do t’ia kthente: “Këtë punë kanë këto media, shyqyr që na lenë të hyjmë në shtepi”.
Pak kohë më parë presidenti Ilir Meta kërkoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë. Me anë të një letre kreu i shtetit paralajmëronte përfshirjen e Shqipërisë në ndonjë lëvizje sizmike të fuqishme, nisur nga tërmet e rëna në Greqi. Pavarësisht se tërmetet nuk mund të parashikohen shkencërisht, Presidenti në letrën drejtuar Ramës shprehej se sizmologu grek Tselentis kishte paralajmëruar për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin që mund të jetë 30 herë më i fuqishëm se ai që kishte goditur para disa ditësh rajonin e Athinës. Por si e përdori Qeveria këtë paralajmërim? Jo vetëm që e refuzoi thirrjen për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, por e përdori për fushatë “profecinë’ të Metës për të denigruar Presidentin. Pas kësaj, lëkundjet do të ndjeheshin në Floq të Korçës dy muaj më parë. Ndërsa sot sizmologu grek në një intervistë televizive, deklaroi publikisht se u detyrua që të përgënjeshtronte thirrjen ndaj Metës, duke theksuar se këto lloj paralajmërimesh nuk thuhen te populli i thjeshtë dhe se duhet të bëhen të ditura vetëm tek shërbimet shtetërore për të mos krijuar panik… Pra, rreziku ekzistonte?
Përpara se të na bombardojë me dhembshurinë e tij televizive, Edi Rama duhet të na japë të paktën disa përgjigje:
1- Prej vitesh ekspertët kanë dhënë alarmin se godinat e ndërtuara përpara viteve ’90 nuk janë të sigurta ndaj lëvizjeve sizmiologjike, për shkak të degradimit të tyre. Godinat e viteve ’30 , ’40, të tilla si Ministritë dhe institucionet e tjera të vendosura në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përshembull, nuk i janë nënshtruar asnjëherë asnjë ndërhyrjeje serioze përveç lyerjes së fasadave. Një vit më parë ky alarm u përsërit edhe nga sekretari i Shoqatës së Ndërtuesve, Arben Dervishi, sipas të cilit “të gjitha këto lloj ndërtesash shfaqin probleme, pasi nuk janë projektuar për lëvizje të tilla sizmike, plus kanë ndryshuar dhe normat”. Edhe ish-zv/ministri i Trasporteve Artan Shkreli pohoi asokohe se provat e bëra mbi objektet e ndërtuara në vitet ’80 apo ’90 vjet, japin rezultate frikësuese për degradimin, ndaj kërkohet standard i ri kontrolli dhe një manual i ri ndërhyrjeje radikale dhe jo pjesore.
2- Në prag të zgjedhjeve të fundit vendore, të gjitha bashkitë në vend pa përjashtim, kanë lëshuar dorën, duke rritur numrin e lejeve të ndërtimit. Bashkia më e madhe në vend, ajo e Tiranës i ka dyfishuar lejet e dhëna të ndërtimit në tremujorin e fundit të vitit 2018. Bashkitë mezi prisnin të miratoheshin planet për të dhënë leje e për të mbledhur taksën e zhvillimit në infrastrukturë. Ekspertët ngrenë shqetësimin se në qytete të tilla si Tirana apo Durrësi, rreziku i pasojave nga tërmetet shtohet edhe nga afërsia e pallateve të lartë me njëri-tjetrin dhe nga xhungla e ndërtimeve në përgjithësi që janë ngritur këto 20 vjetët e fundit.
3- Instituti i Gjeoshkencave punon me një rrjet monitorimi me 12 stacione dhe një staf profesionistësh, që kontribuon direkt në punën e strukturave të Emergjencës Civile, të cilave u duhet në kohë reale përgjigje për dy pyetjet kryesore, që dalin kur ndodh një tërmet: Ku është epiqendra dhe sa është madhësia e tërmetit. Gjithsesi, për studiuesit, koha ka treguar se ndihma e tyre kërkohet vetëm kur kanë ndodhur fatkeqësi. Nga ky Institut është kërkuar prej vitesh që të kenë përfaqësuesit e vet të paktën nëpër bashkitë kryesore, duke bërë të mundur që të ushtrojnë edhe një detyrë kontrolli në lidhje me ato aspekte të vendim-marrjes që kanë të bëjnë me sizmikën e truallit shqiptar
4- Studimet për vlerësimin e rrezikut sizmik nuk realizohen për shumë objekte anembanë vendit. Dhe ky është një fakt që pranohet gjerësisht nga ekspertët e fushës. Kryeministri përpara se të stampohet 24 orë në TV, ndoshta duhet të tregojë (maksimumi deri nesër) se si është ndërtuar në Shqipëri këto 6 vjet. A është marrë parasysh nga institucionet që kanë në dorë ndërtimin në këtë vend Harta Sizmiologjike e Shqipërisë, hartë që u prodhua nga studimi i Akademisë së Shkencave “Sizmiciteti, sizmotektonika dhe vlerësimi probabilitar i rrezikut sizmik në Shqipëri” (2013)? Nëse jo, pse? Sepse nëse një shtet normal do t’i referohej kësaj Harte, do ta kishte shumë të qartë se nuk mund të ndërtosh njësoj si në Durrës, ashtu edhe në Peshkopi, si në Kucovë, ashtu edhe në Has. Madje nuk mund të ndërtosh njësoj edhe brendapërbrenda një qyteti me shtrirje të madhe si Tirana apo Durrësi, sepse diku ka më shumë rrezik sizmiologjik se diku tjetër.
5- Aspektet sizmologjike të mikrozonimit sizmik të një qyteti janë të vlefshme për sa kohë është në fuqi kushti aktual i projektimit. Ky kusht kërkon vlerësimin e intensitetit sizmik të sheshit të ndërtimit dhe ky intensitet merret nga hartat e mikrozonimit sizmik. Por mikrozonimi sizmik është një proces që kërkon fonde, pajisje dhe që duhet të bëhet sistematikisht. Ekspertët pohojnë se megjithë ristrukturimet e Institutit të Gjeoshkencës dhe reformave pafund, mikrozonimet sizmike nuk janë edhe aq të përditësuara. Askush nuk kujtohet se këtu kemi të bëjmë me jetë njerëzish. Qeveria kujtohet për ekspertët e këtij Instituti vetëm kur ka tragjedira!
6- Edhe sot kryeministri e përmendi atë muhabetin që shqiptarët nuk janë të mësuar të paguajnë sigurim prone. Kjo pohohet si nga ekspertët e vlerësimit të pronës, ashtu edhe nga operatorët e tregut të sigurimeve. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se në portofolet e pronës, sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-korrik 2019, është vënë re një ulje prej 24.43% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 6.18% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-korrik 2018. Fakti që je kryeministri i popullit më menefrego të rajonit, të cilit më shumë i dhimbsen 50 euro në vit sesa rrënimi brenda një nate i shtëpisë nga fatkeqësia natyrore, nuk të justifikon dhe të jep të drejtë të ngresh duart lart. Për këtë treg komplet të virgjër, me interes jetik për pronën në Shqipëri, asnjëherë nuk është bërë asnjë fushatë sensibilizimi! Asnjëherë nuk ka pasur një nismë serioze për të ndryshuar mekanizmat, jo për t’i detyruar, por për t’i bërë shqiptarët që të sigurojnë strehën ku fusin kokën përnatë.
Këto dhe shumë aspekte të tjera teknike ndoshta ekspertët i dinë, por në ERTV diskutime të tilla nuk mund të zenë vend sepse janë shumë të mërzitshme. Cadrat ushtarake dhe fushimet emergjente në natyrë janë shumë më tërheqëse për shikuesin. Poaq tërheqëse sa edhe gatishmëria numër një e gjithë qeverisë për t’u treguar e dhimbsur dhe solidare. Por dhimbsuria nuk i hyn shumë në punë atij që nuk ka më shtëpi, apo më keq, atij tjetrit të cilit i është ndarë apartamenti më dysh për shkak të cilësisë së dobët të pallatit dhe që tani duhet ta gdhijë me ankth. Tërmeti dhe pasojat e tij nuk mposhten me dhimbsuri. Aq më pak me aksione fotozhenike në të gjitha televizionet, sa herë që ndodh fatkeqësi natyrore në Shqipëri. Tërmeti mposhtet shumë përpara se ai të na trondisë shtëpitë e të na nxjerrë me brekë nëpër rrugë, sic na nxori këtë të shtunë. Me punë dhe mend, e jo me llafe!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë