Dosje

Dëshmia/ Si e mori peng ‘BKH’ (me kapuç në kokë) Gerond Meçen për tenderët e AKSHI-t dhe miqësia Agasi-Karçanaj (foto)

Gazeta Si – Pengmarrja e biznesmenit Gerond Meçe, për të hequr dorë nga tenderët e AKSHI-t dhe ankimet e bëra nga ana e tij, është realizuar në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Ishte 12 gusht 2025 në mëngjes, ora 10:30, kur Meçe, del nga shtëpia e tij në Tiranë. Makinën tip “Hunday”, e kishte të parkuar në anë të pallatit dhe teksa lëviz, një makinë fuoristradë e tipit “Defender”, ngjyrë e zezë, me fenelina policie, afrohet drejt tij.

Ai është pritur nga të paktën 3 persona, të cilët janë hequr si oficerë të BKH dhe SPAK. Por ndërsa kishte hipur në makinën e tyre, duke iu bindur urdhrit si oficerë të zbatimit të ligjit, biznesmeni ka nisur të dyshojë. Ata i kanë vendosur një kapuç në kokë për të mos parë itinerarin e rrugës.

Meçe u mbajt për disa orë nën presion dhe kërcënime, me synim që ai të tërhiqej nga ankesat e paraqitura lidhur me procedurat e tenderëve të AKSHI-t.

Vetëm pasi biznesmeni pranoi të heqë dorë nga këto ankimime, rrëmbyesit e lanë të lirë, duke e braktisur në një zonë rurale të qarkut të Elbasanit.

Mjeti i pengmarrësve lëviz me Gerond Meçen në bord

Dosja e AKSHI-t

Sipas dosjes hetimore të SPAK, përveç biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, e përfshirë në këtë situatë, dyshohet se është edhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, për shkak se informacionet diskrete kishin rrjedhur nga ky institucion sa u takon veprimeve të kompanisë së Meçes.

Në një prej pamjeve filmike të administruara nga pajisja përgjuese që Ergys Agasi kishte në zyrën e tij, SPAK ka konstatuar një video të takimit të tij me biznesmenin Ermal Beqiri, ku diskutohet për 2 tendera të AKSHI-t për procedurë dhe aty përmendet kompania e Meçes “ABS”.

Biznesmeni ka deklaruar se dyshon se rrëmbimin e tij e ka kryer Beqiri për shkak se pas çdo procedure tenderimi, qëndronte një prej kompanive të tij apo të lidhura me të.

SPAK dyshon se Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, janë dy personat që kontrollonin dhjetëra miliona euro nga buxheti i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe që do t’i mbyllnin telashet me rivalin e tyre duke angazhuar policinë, por edhe bandat kriminale.

Prandaj, për të zhbllokuar paratë nga tenderët, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, vendosin të marrin peng Gerond Meçen.

Makina “Land Rover Defender” dhe një nga pengmarrësit e dyshuar në pritje të Gerond Meçes

Plani i pengmarrësve

Në dosjen e SPAK, janë fotot e pengmarrjes, kur një mjet “Land Rover Defender”, ka ndaluar në rrugë dhe nga aty dalin dy persona me jelekë me mbishkimin “Policia”.

Prokurorët e SPAK, e përshkruajnë kështu në dosjen hetimore skenën e ngjarjes: “Nga dera e pasme e krahut të shoferit, një person i dytë, i cili mban kapelë të zezë, bluzë me krahë të shkurtra me ngjyrë të bardhë dhe një jelek të ngjashëm me ato të policisë së shtetit, me mbishkrim POLICIA. Në këtë moment del edhe shoferi, i cili mban maskë të zezë në fytyrë, syze të zeza, kapelë të zezë, xhinse ngjyrë blu, atlete të zeza dhe një jelek të ngjashëm me atë të policisë së shtetit me mbishkrimin POLICIA”.

Ajo që ka treguar biznesmeni në SPAK, është se pengmarrësit “kishin dialekt nga zona e Elbasanit” dhe i kishte thënë se nëse do t’i shihte ndonjëherë në Elbasan, mund t’i përshëndeste.

Një nga personat e dyshuar që rrëmbyen biznesmenin Gerond Meçe para pallatit të tij

Pas rrëmbimit, Gerond Meçe udhëtoi drejt Gjermanisë, ku bëri kallëzim për rrëmbimin nga personat me uniformat e policisë, nga ku erdhi presioni në SPAK për të vazhduar më tej me këtë hetim.

Pasi ka pranuar bashkëpunimin me pengmarrësit, Meçe ka telefonuar administratorin dhe menjëherë është bërë tërheqja e ankimimeve të tij dorëzuara për tendera me vlera të konsiderueshme parash.

Hetuesit kanë zbuluar edhe rolin e zv.drejtorit të policisë së Tiranës, Erion Ismaili, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal për tenderët e AKSHI-t.

Biznesmeni Gerond Meçe ka treguar se para se ta merrnin peng, zv.drejtori i policisë i kishte kërkuar “të rrijë larg AKSHI-t”.

Kërcënimet e zv.drejtorit të policisë, Erion Ismaili ndaj Meçes për të qëndruar larg AKSHI-t

Dëshmia e Gerond Meçes

Në dëshminë e dhënë, Meçe tregon se poshtë pallatit të tij, sapo kishte dalë nga makina, i ishin afruar dy persona, të cilët i ishin prezantuar si punonjës të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Pasi e kishin marrë brenda në makinë, ata i kishin komunikuar se ishte arrestuar dhe i kishin vendosur kapuçin në kokë për të mos parë itinerarin e lëvizjes.

Megjithatë, Meçe thotë se e kishte kuptuar që ishte marrë peng, pasi personat në makinë që ishin prezantuar si punonjës të BKH-së, nuk dinin t’i vendosnin prangat në duar.

Sipas dosjes së AKSHI-t, Meçe tregon se ka hapur nga distanca bagazhin e makinës së tij, ka vendosur çantën e shpinës dhe çantën e dorës dhe në atë moment është afruar një automjet fuoristradë “Range Defender”, ngjyrë e zezë, me fenelina policie, me targa shqiptare, të cilat në ato momente nuk i ka fiksuar, por më vonë ka parë që targat e atij automjeti janë, AC121JJ.

Ndërkohë, që makina ka lëvizur drejt tij, ai ka fiksuar një person jashtë mjetit, i cili e ka thirrur në emër Gerond Meçe.

Foto e shkëputur nga video-regjistruesi i zyrës së Ergys Agasit, ku mbaheshin takimet e të pandehurve

Meçe thekson se ai ishte i gjatë rreth 1.75 cm, me trup mesatar, me flokë të zeza e të drejta të shtrira poshtë, pa mjekër, i veshur me uniformë ngjyrë blu me krah të gjatë, si dhe jelek ngjyrë të verdhë me mbishkrim BKH (Byroja Kombëtare e Hetimit).

Sipas biznesmenit, ky person i thotë: “Jemi SPAK-u, duhet të vish me ne, hyr në makinë”. Në atë moment ka besuar që është SPAK dhe është bindur pa shfaqur pakënaqësi apo rezistencë për shkak se ishte në oborrin e pallatit të tij.

Në këtë moment, nga dera mbrapa ka dalë një person i dytë, i cili i ka hapur vendin për t’u futur brenda, nuk ka qenë as ky i maskuar në fytyrë, por ishte pak si i shëndoshë, veshur me bluzë si ato të policisë.

Më pas, ka parë brenda në makinë që ky person ka pasur të veshura xhinse të zeza. Në momentin kur e ka thirrur në emër personi i parë, Meçe ka shtypur butonin e bagazhit të makinës, i cili automatikisht ka filluar të mbyllet. Në këtë kohë kur po mbyllej bagazhi, është futur te sedilja mbrapa në mes të automjetit të të dyshuarve, “Defender”.

Në atë moment, ka hyrë edhe personi i tretë në makinë nga krahu i majtë i tij, i cili kishte veshje të ngjashme me personin e dytë, me xhinse të zeza dhe me bluzë si ato të policisë, i shëndoshë, por pa maskë, fytyrë e rrumbullakët.

Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi në zyrën e këtij të fundit

Dy personat që kanë qenë mbrapa me Gerondin (personi dy dhe personi i tretë), kanë qenë me tatuazhe: personi i dytë ka pasur tatuazh në pjesën e jashtme të dorës së djathtë, midis gishtit të madh dhe gishtit tregues, tatuazh me formë si ajo e germës “B” në krahun e kundërt, e pambyllur plotësisht dhe diku nga mesi kishte një pikë. Personi i tretë, në parakrahun e dorës së majtë ka komplet parakrahun tatuazh bardh e zi.

Në dëshminë e tij, Meçe shton se ka dëgjuar që shoferi, i cili ishte me maskë, i flet personit të parë, duke i kërkuar që të merrte dy çantat e Gerondit nga bagazhi i makinës.

Ai i merr çantat dhe i fut në makinë. Pasi futen brenda, Meçe i ka pyetur: “Keni ndonjë letër, ju lutem ma jepni?

Personi i parë që ishte në vendin e pasagjerit para, i thotë “je arrestuar” dhe i thotë personit të dytë (në të djathtën e Gerondit) t’i vërë prangat.

Meçe kërkon përsëri t’i japin letrat, dhe se duhet të telefonojë në familje. Personi i parë i thotë që letrat do ia japin në komisariat, ndërkohë që makina lëviz për të dalë nga oborri i pallatit.

Biznesmeni Gerond Meçe, duke hipur në makinën e pengmarrësve

Personat mbrapa tentuan t’i vënë prangat, por fakti që personi i dytë nuk dinte t’i vendoste prangat dhe ka ndërhyrë personi i tretë, ka bërë që Meçe të dyshojë që ata nuk ishin punonjës siç u prezantuan.

Në momentin që po vinin prangat, Gerond Meçe u thotë: “O çuna unë nuk jam kriminel!”. Personi i dytë i thotë: “Ça the ti, ça the, kush është kriminel?!”, ndërkohë që shoferi u thotë, vërini kapuçin.

Kur po dilnin nga parkimi i oborrit, Meçe ka parë babain e tij dhe në atë moment i kanë vënë kapuçin e zi në kokë.

Këtu, Meçe është bindur që personat nuk janë nga SPAK-u. Makina për punë sekondash ndalon në semafor, ndërkohë që devijon majtas, biznesmeni i pyet se në cilin komisariat do e çonin.

Personi i parë i thotë: “Në komisariatin më të afërt”. Sipas tij, personat para kishin komunikime me zë të ulët mes tyre.

Mesazhi i mbërritur në telefonin e administratorit të Gerond Meçes

Tërheqja nga AKSHI dhe fundi i pengmarrjes: Po fole, plumbin kokës e ke!

Edhe pse personat që kishte para komunikonin me zë të ulët, Gerond Meçe e kupton që në fakt atë po e nxirrnin jashtë Tiranë dhe jo në komisariat.

“Çuna e mora vesh se çfarë jeni…unë jam në moshë dhe kam probleme me zemrën, kapuçi që kam në kokë më pengon frymëmarrjen”, u thotë ai.

Ata i heqin kapuçin, dikush mundohej t’ia mbate kokën ulur poshtë, por ai kishte arritur ta shikonte itinerarin e rrugës. Destinacioni ishte Elbasani, jo nga autostrada por nga rruga e Kërrabës.

Fillimisht ia kërkojnë qetësisht paswordin e telefonit, por pasi refuzon i shtrëngojnë prangat. Ishte ora 11:20 kur janë gjendur në një shesh të madh, afër fshatit Gracen, pa zbritur në qytetin e Elbasanit.

I thonë të dalë jashtë nga makina dhe me insistim i kërkojnë kodin e telefonit, ai refuzon dhe në këtë moment vjen shoferi, (i vemi i maskuar) dhe e godet me shuplakë. Marrin celularin, ia vendosin te gishti dhe arrijnë ta zhbllokojnë.

Menjëherë e kalojnë telefonin në “airplane mode”. Kjo mbase pasi gjatë rrugës celulari i biznesmenit kishte rënë pa pushim.

“Ne po të kërkojmë të bashkëpunosh, jo si me password-in, se në të kundërt ke plumbin në kokë”, i thotë njeri prej të pengmarrësve që në makinë kishte ndenjur në vendin e pasagjerit, teksa i tregonte armën që kishte në brez.

Tjetri nxjerr pistoletën nga brezi, fuste dhe nxirrte karikatorin, duke i thënë “do bashkëpunosh apo si e ke”. “Ore për çfarë të bashkëpunoj?!”, pyet Gerond Meçe.

Nëndrejtori i policisë Tiranë Erion Ismaili (majtas), Gerond Meçe (në mes), Ergys Agasi dhe pamje nga rrëmbimi i Meçes

Personi i parë, i veshur me jelek me mbishkrimin BKH (të cilin tashmë e kishte hequr) shkon te makina dhe merr një zarf të bardhë, e hap dhe i tregon një tabelë exel, që tregonte tenderat, që biznemeni kishte ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP).

Ata e pyesin “E njeh këtë letër?” Fillimisht i thotë jo, por e kupton se për çfarë bëhet fjalë. “Janë tendera që ti ke ankimuar dhe duhet të tërhiqesh, nuk kemi punë me lekët e tua, i gëzofsh ato”, i thonë pengmarrësit. “Nuk behet kështu kjo punë, sepse edhe po u bë, u prish punë më shumë juve, sesa mua”, i përgjigjet ai.

Ndërkohë Gerond Meçe mundohet t’u mbushë mendjen që nuk bëhet në këtë moment tërheqja, duke u thënë se nuk është ai administratori.

Biznesmeni u ka treguar agjentëve të BKH-së në SPAK, se përmes telefonit të tij ata kanë marrë administratorin kompanisë “ABS”, Shkëlqim Kërluku.

Ata e kanë futur në makinë, i kanë kthyer telefonin dhe e kanë lejuar të flasë me gruan dhe të tjerët që e merrnin.

Ora kishte shkuar 15:10 dhe në këtë moment pengmarrësit e konfirmojnë që në asnjë komisarit nuk kishte denoncim nga familjarët e Meçes. Presin edhe 1 orë e 20 minuta, futen në makinë në pozicionet siç ishin në fillim.

Pas 6 orësh pengmarrje, e zbresin te rrethrrotullimi që të çon direkt për në autostradën Tiranë-Elbasan, në afërsi të Bradasheshit dhe njëri prej tyre i thotë: “Nuk dua probleme nga ty, nuk dua denoncime nga ty, në të kundër do të vrasim ty, grua, motër, nënë. Se baba ti nuk ke”.

Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj në zyrën e Ergys Agasit

Dëshmia e Mirlinda Karçanajt

Ndërkohë, sipas mediave, ankesat e Gerond Meçes i ka pranuar edhe drejtoresha e institucionit, Mirlinda Karçanaj në SPAK, kur është marrë në pyetje.

“Ishte bërë një problem i madh nga ky operator ekonomik, pasi ka pezulluar punën e të gjithë institucioneve shqiptare, nëpërmjet ankesave që ka bërë për shumë procedura prokurimi dhe jo vetëm në AKSHI”, – ka thënë në dëshminë e saj Karçanaj.

Në dëshminë e saj më 3 dhjetor të këtij viti, Karçanaj ka thënë në SPAK se me biznesmenin tjetër Ermal Beqiri ishte takuar vetëm një herë dhe se nuk mbante marrëdhënie me operatorët ekonomikë jashtë zyre, ndërsa me Ergys Agasin ishte takuar disa herë në zyrën e tij për shkak të raportit miqësor që ato kishin.

Por sipas saj, kjo marrëdhënie nuk ka sjellë ndonjë ndikim apo konflikt interesi në tenderat e AKSHI-t.

Duke parë atë që ka ndodhur në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, tenderat fiktivë, bashkëpunimin e zyrtareve të larta të institucionit dhe përfshirjen e zv.drejtorit të Policisë së Tiranës dhe grupeve kriminale në një pengmarrje, SPAK ka arritur në përfundimin se kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, që veproi si i tillë për të zgjidhur problemet me biznesmenin Gerond Meçe.

Ermal Beqiri (majtas), Gerond Meçe (në mes) dhe Ergys Agasi

Akuzat e SPAK ndaj grupit kriminal

Javën e kaluar, Gjykata e Posaçme ka lënë në “arrest shtëpie” drejtoreshën e AKSHI, ,, e cila akuzohet për tre vepra penale shkelje të barazisë në tendera, grup të strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.

Edhe zëvendës drejtoresha e AKSHI-t, Hava Delibashi, është lënë në “arrest shtëpie”, po për të njëjtat akuza.

Ndërsa për zëvendësdrejtorin e Policisë së Tiranës, Erion Ismailin është caktuar pezullimi nga detyra, i akuzuar për konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës e kryer në formën e grupit kriminal, grup të strukturuar kriminal si edhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.

“Arrest me burg”, është caktuar ndaj Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, të dy të shpallur në kërkim me urdhër të SPAK për akuzat: “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë