Para

Si e kanë ndihmuar remitancat ekonominë e Kosovës

Remitancat kosovare kanë shënuar mbi 800 milionë euro në vitin 2018. Kjo është vlera më e lartë e paravë të dërguara nga emigrantët kosovarë familjeve të tyre që prej vitit 2004, kur remitencat arritën në 357 milionë euro.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, publikuar në vjetarin e Kosovës për vitin 2019, vërehet se që nga viti 2014, ka qenë gjithnjë në rritje trendi i remitancave.

Vetëm gjatë nëntë viteve të fundit 2009 – 2018, vlera e remitencave përmes kanaleve bankare në Kosovë ka qenë mbi 6 miliardë euro.

Remitencat në Kosovë vijnë kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra, vende këto nga të cilat dërgohen rreth 40 për qind, përkatësisht mbi 22 për qind të gjithsej remitencave të pranuara në Kosovë.

Kurse remitancat që vijnë nga SHBA-të kapin nivelin 7 për qind të vlerës së përgjithshme.
Shuma e dërgesave nga diaspora brenda një viti konsiderohet se është edhe më e lartë, pasi që një pjesë e mjeteve besohet se hyjnë në Kosovë edhe përmes formave tjera, të cilat mund të mos përfshihen në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës.

Sipas ekspertëve, këto mjete përgjatë viteve kanë pasur një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës, duke nxitur rritjen ekonomike dhe duke siguruar të ardhura shtesë për familjet me të ardhura më të vogla.

Sipas të dhënave Agjencisë se Statistikave të Kosovës, vetëm vitin e kaluar, rreth 29 mijë qytetarë të Kosovës, kanë emigruar në vende të ndryshme të Bashkimit Europian dhe më gjerë.
Kurse përgjatë viteve 2013 – 2017, nga Kosova, sipas të dhënave zyrtare kanë emigruar më shumë se 170 mijë qytetarë. Në këto të dhëna është përfshirë emigrimi i rregullt dhe i parregullt dhe se një numër i konsiderueshëm emigruan duke kërkuar azil.

Bazuar në shënimet zyrtare, janë mes 700- 800 mijë qytetarë të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Europës dhe botës.

 

Më Shumë