Ne rrjet

Si e djathta ekstreme e Evropës po synon të përfitojë nga trazirat në Francë

Politikanët e ekstremit të djathtë në të gjithë Evropën kanë shfrytëzuar trazirat civile në Francë për t'i kërkuar BE-së të ashpërsojë politikën e saj të migracionit.

Në Poloni, kryeministri Mateusz Morawiecki përdori ngjarjet në Francë si një mundësi për të justifikuar refuzimin e Varshavës ndaj paktit të propozuar të BE-së për migracionin, të cilin shumica e vendeve anëtare e miratuan muajin e kaluar, por Hungaria dhe Polonia e bllokuan në samitin e Këshillit Evropian të javës së kaluar.

“Dyqanet e grabitura, makinat e policisë të djegura, barrikada në rrugë – kjo është ajo që po ndodh tani në qendër të Parisit dhe shumë qytete të tjera franceze”, shkroi Morawiecki në Twitter gjatë samitit.

“Ne nuk duam skena të tilla në rrugët polake. Ne nuk duam skena të tilla në asnjë qytet në Evropë”

Morawiecki kritikoi gjithashtu Brukselin në një konferencë shtypi të shtunën për "përpjekjen për të detyruar Poloninë" të pranojë paktin e migracionit, që perfshin kuota të detyrueshme pranimi për azilkërkuesit dhe jo vetem por do t'u kërkonte atyre që refuzojnë të paguajnë një fond për t'i akomoduar ata gjetkë.

“Këto janë pasojat e politikave të migrimit të pakontrolluar që ne po detyrohemi të miratojmë”, tha ai pasi postoi në Twitter një video me skena 'apokaliptike' nga Franca

Kryeministri polak nuk ishte i vetmi që përdori trazirat në Francë si pasojë e vrasjes së një adoleshenti francez nga një polic.

Nënsekretari italian për Punët e Brendshme, Nicola Molteni, një anëtar i partisë së krahut të djathtë i Liga-s, tha se trazirat në Francë ishin " vërtetim i dështimit të migrimit të pakontrolluar dhe një paralajmërim për pjesën tjetër të Evropës".

Molteni tha se ishte e nevojshme që Evropa të bënte më shumë për të "menaxhuar, planifikuar, drejtuar valën e migracionit" dhe përmendi qëndrimin e ashpër të vendit të tij ndaj migracionit si model.

“Ne duhet të fokusohemi në balancën ndërmjet të drejtave dhe detyrave”, tha Molteni. “Nuk mund të vish në Itali dhe të bësh çfarë  të duash: ka një identitet që duhet respektuar”

Hans Kundnani, një analist për Evropën në Chatham House, tha se reagimet e Morawieckit dhe Moltenit ndaj trazirave në Francë ishin "saktësisht ato që do të prisnit" nga një e djathtë ekstreme, e cila ka fituar vazhdimisht tërheqje mes votuesve dhe ka konsoliduar pushtetin vitet e fundit.

Populisti anti-emigrantëve Viktor Orbán ka qenë në detyrë në Hungari që nga viti 2010, ndërsa Ligj dhe Drejtësi e Morawieckit ka qeverisur Poloninë që nga viti 2015.

Në Francë, Marine Le Pen gëzonte mbështetje të mjaftueshme për t'u kualifikuar në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të vendit në 2017 dhe 2022, dhe në Itali, e djathta ekstreme, Georgia Meloni është kryeministre që nga viti i kaluar.

Kundnani tha se e djathta ekstreme kishte qenë veçanërisht efektive në shtyrjen e qendrës së djathtë për të ndryshuar qëndrimin e saj ndaj politikës së migracionit.

Që nga kriza e refugjatëve të vitit 2015, e djathta ekstreme ka shfrytëzuar këto ngjarje për të kërkuar masa më të ashpra," tha Kundnani.

"Dhe ata kanë qenë mjaft të suksesshëm në marrjen e mbështetjes nga qendra e djathtë në shumë pjesë të Evropës: Për dekadën e fundit ata kanë shkuar shumë më tej në shtrëngimin e ligjeve të migracionit dhe politikës së azilit"

Fushata kundër trazirave franceze

Kundnani i Chatham House tha se ka të ngjarë që partitë e ekstremit të djathtë do të përdorin trazirat e fundit në Francë për të nxitur pakënaqësinë popullore dhe për t'i shtyrë partitë e qendrës së djathtë të miratojnë qëndrime më ekstreme.

“Arsyeja pse qendra e djathtë ka kërkuar të shtrëngojë politikat e imigracionit që nga viti 2015 është pikërisht sepse sheh se argumentet e ekstremit të djathtë rreth identitetit, emigracionit dhe Islamit kanë pasur tërheqje në publik”, tha Kundnani.

“Ky është mësimi që ata kanë mësuar nga rritja e ‘populizmit’: Se duhet të jenë ‘më të ashpër’ ndaj imigracionit,” tha ai. "Dhe ky ndryshim është gjithashtu baza e bashkëpunimit të tyre në rritje me të djathtën ekstreme, veçanërisht në qeveritë e koalicionit"

Partitë e ekstremit të djathtë janë tashmë pjesë e qeverive të koalicionit në vende të tilla si Finlanda dhe ofrojnë mbështetje të jashtme për qeveritë si ajo e Suedisë.

Në Spanjë, ku e djathta ekstreme mund të qeverisë potencialisht me Partinë Popullore të qendrës së djathtë pas zgjedhjeve parlamentare këtë muaj, lideri i partisë së ekstremit të djathtë Vox përdori trazirat për të bërë thirrje për politika më të ashpra imigracioni.

“Evropa po kërcënohet nga turma anti-evropianësh që thyejnë stacionet e policisë, djegin bibliotekat dhe godasin me thikë për të vjedhur një celular, të cilët nuk janë të gatshëm të përshtaten me mënyrën tonë të jetesës dhe ligjet tona”, tha kreu i partisë Santiago Abascal.

“Ata mendojnë se ne jemi ata që duhet të përshtatemi”

Abascal mohoi idenë se varfëria ose brutaliteti policor mund të jenë shkaqet kryesore të trazirave, duke argumentuar se të krishterët e margjinalizuar nuk kryejnë kurrë akte dhune duke akuzuar "myslimanët radikalë" se janë ata që qëndrojnë pas trazirave që mund të çojnë në shpërthimin e një "lufte të vërtetë civile".

Ndërkohë, në Belgjikë, e cila do të mbajë zgjedhjet rajonale dhe kombëtare vitin e ardhshëm, Tom van Grieken, president i partisë ultranacionaliste Vlaams Belang, foli për trazirat në Francë dhe incidentet e pasuara në Belgjikë këtë fundjavë.

"Këto janë fusha ku shoqëria jonë është tërhequr nga imigracioni masiv dhe qeveria ka pak kontroll," argumentoi ai, duke shtuar se autoritetet belge "nuk kanë guxim" për t'u marrë me problemin...

Burimi: Politico.eu/ Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë