Arsim

Si do të nisin universitetet? Mësimi, në auditore dhe online

Masat e marra nga universitetet për rifillimin e procesit mësimor

Nga Blerina Goce - K.B është studente në vitin e dytë në Fakultetin Ekonomik. Në muajin nëntor ajo pret të fillojë vitin e ri akademik, i treti për të.
Por ky vit nuk është njëlloj si të tjerët.
K. është ende e angazhuar me provimet e vitit të dytë, ndërkohë që pasi të përfundojë me to, do të fillojë menjëherë vitin e ri akademik.
“Ka qenë një periudhë tepër e vështirë. Kishte disa lëndë që ishte e vështirë të kuptoheshin pa qenë në auditor dhe pa shpjegimin e profesorëve. Shpresoj që viti që vjen të jetë më normal”, shprehet K për gazetën “Si”.
Viti i ri akademik është përcaktuar të fillojë në 2 nëntor, ndërkohë që në Universitetin e Tiranës, i cili ka numrin më të madh të studentëve dhe stafit akademik është planifikuar, që një pjesë e leksioneve të zhvillohen online, ndërsa seminaret dhe orët laboratorike në grupe të vogla në auditore apo ambiente të tjera të përcaktuara.

Rektori i UT, Artan Hoxha

“Ashtu sikurse është përcaktuar nga Ministria e Arsimit, viti i ri akademik do të fillojë në 2 nëntor. Jemi përpara detyrimit që të organizohemi, me qëllim që ta zhvillojmë atë në përputhje me programin, por duke ruajtur edhe personelin dhe studentët nga virusi. Ajo që po bëjmë aktualisht është miratimi i një rregulloreje të Universitetit të Tiranës për mënyrën e zhvillimit të proceseve, ndërkohë që një pjesë e fakulteteve kanë rregulloret e tyre dhe një pjesë tjetër po i përgatisin”, shprehet për gazetën “Si”, rektori i UT, Artan Hoxha.
Hoxha nënvizon se rregulloret e reja do të ndërtohen në kushtet e rregullave, që aktualisht janë të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Arsimit dhe nëse do të ketë ndryshime, këto do të reflektohen edhe në këto rregullore.
“Në thelb po përgatitemi që ta zhvillojmë procesin mësimor të kombinuar midis mësimit në auditor dhe mësimit online, në varësi të numrit të pjesëmarrësve dhe të proceseve mësimore që zhvillohen. Kryesisht, për leksionet ku ka më shumë studentë në pjesëmarrje mund të verifikohet mundësia e dhënies së tyre online, kurse proceset e tjera, siç janë laboratorët, praktikat mësimore dhe praktikat e tjera, që kanë më pak studentë të përfshirë, do të zhvillohen pothuajse të gjitha në auditore ose ambientet ku zhvillohen normalisht. Në thelb duam që ta zhvillojmë mësimin në mënyrë të tillë, që pavarësisht nga kushtet se si do të zhvillohet, të jetë sa më afër asaj që studentët kanë bërë çdo vit”, vijon Hoxha, ndërsa thekson se “kushti” nëse një orë mësimi do të zhvillohet në auditor apo online është numri i studentëve: shumë studentë, do të thotë që mësimi do të zhvillohet online dhe pak studentë, që mësimi do të zhvillohet në auditore.
Universiteti i Tiranës, platformë e unifikuar për fakultetet
“Një fakultet që ka më shumë pjesëmarrës në leksione, ose do t’i ndajë në disa auditore, ose do të detyrohet t’i zhvillojë online. Ajo që po bëjmë ndryshe nga ajo që kemi patur është që po zhvillojmë një sistem të unifikuar, një platformë të unifikuar të Universitetit të Tiranës, që ka disa element, të cilët kanë të bëjnë edhe me disiplinimin e proceseve, edhe me evidentimin e tyre nga pikëpamja e formalitetit, por edhe për lehtësinë që duhet të kenë edhe studentët, edhe pedagogu për ta përdorur atë. Pra, ajo që mund të jetë e re në krahasim me zhvillimin e procesve kur nuk ishim të përgatitur do të jenë rregulloret dhe sistemi i unifikuar i mësimit online në Universitetin e Tiranës”, thekson rektori i UT, Hoxha për gazetën “Si”.
Aktualisht, në Universitetin e Tiranës nuk ka staf të prekur nga Covid-19, por ka raste të dyshuara të cilët janë vetizoluar. Për shkak të pandemisë, në shkollat e larta vijojnë provimet për të mbyllur këtë vit akademik.

“Të raportuar të prekur te unë nuk ka. Ajo që është e sigurt është se nëse ka personel, pedagogë apo studentë ata nuk janë pjesë e procesve mësimore. Aktualisht jemi duke përfunduar vitin e shkuar akademik, që u zgjat në kohë për shkak të pandemisë dhe përfundon në fund të tetorit. Pra jemi në auditore, në ambientet e universitetit. Personeli funksionon me kohë të plotë, pedagogët janë duke kryer procese mësimore. Jemi në fazën e provimeve të vitit të shkuar dhe kur evidentojmë raste të kësaj natyre apo dyshojmë se ka të prekur nga COVID, këta persona shkëputen nga të tjerët dhe izolohen”, shpjegon rektori i Universitetit të Tiranës.
Ai shton se rastet e raportuar si të dyshuar janë të paktë, porse, kur ka të dyshuar, masat merren brenda vetë fakulteteve, sipas rregullave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Arsimit.
Hoxha specifikon se në këtë fillim viti të ri akademik do të zbatohen rregullat bazë të përcaktuara në bazë të protokollit, si: mbajta e distancës nga 1.5 m nga njëri student te tjetri dhe sallat janë të përcaktuara sipas kapaciteti që duhet të mbajnë.
“Kryesisht ne funksionojmë në salla të mëdha, kurse sallat e vogla i përdorim vetëm kur kemi vetëm nga 10-15 studentë. Kur ka më shumë studentë përdoren sallat e mëdha të leksioneve, edhe për seminare, apo procese të tjera, që nuk janë leksione. Ne i zhvillojmë proceset mësimore nga 8 e mëngjesit deri në orën 20:00 të darkës. Mundohemi që të zbatojmë maksimalisht protokollet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Arsimit.”.
Ai nënvizon se është i vetëdijshëm për vështirësitë dhe se situata megjithatë do të jetë e monitoruar vazhdimisht nga autoritetet shëndetësore.
“Të tërë kanë vështirësi, ne edhe më shumë, se ka masivizim. Jemi të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kemi, por edhe të vetëdijshëm, që proceset mësimore duhet të ecin përpara, si gjithë proceset në kushtet e pandemisë. Jemi përpara një sistuate që është e përbotshme. Nuk është as vetëm e Tiranës, as e Shqipërisë. Mundohemi maksimalisht ta përballojmë situatën me sa më pak pasoja, por që të izolohemi dhe të mos i zhvillojmë procest mësimore nuk është e mirë për askënd. Sëmundje ka dhe do t’i përballojmë bashkarisht. Ne kemi fëmijët dhe nxënësit në auditore, kështu që shoqëritë do të përballen me një situatë të tillë. Mjekësia, sutoritetet do të na tregojnë limitet tona e deri ku mund të shkojmë. Ajo që do të bëjmë është të përgatitemi sa më mirë që të kemi procese të bëra, arsimim të dhënë dhe sa më pak persona të infektuar.”. përfundon rektori Hoxha.
Nga regjistrimet në Universitetin e Tiranës, edhe këtë vit, drejtësia dhe ekonomia janë degët më të kërkuara. Sipas të dhënave nga rektorati, nuk do të ketë rritje të tarifës së shkollimit, por një ulje prej 5 mijë lekësh në pagesën e regjistrimit vetëm për ciklin “master”.
Mësimi në rrethe
Sipas të dhënave nga rektorate të ndryshëm, mësimi i kombinuar, në auditore edhe online është formula për zhvillimin e këtij viti akademik edhe në universitete të tjera të vendit. Në disa universitete po punohet akoma për të marrë masat e duhura për zhvillimin e vitit të ri akademik. Një shembull i tillë është edhe Universiteti i Korçës.

Rektori i UK, Dhimitër Bello

“Jemi akoma në proces. Po zhvillojmë një sondazh, të cilin u kemi thënë dekanëve t’ua shpërndajnë të gjithë pedagogëve, për të parë se cilët janë të përgatitur për të përballuar mësimin në kushte pandemie”, shprehet rektori i Universitetit të Korçës, Dhimitër Bello.
Bello vëren se procesi mësimor do të fillojë në auditore, por në vaësi të ecurisë së situatës mund të zhvendoset më pas edhe online.
“Duhet të përgatitemi për të gjithë rastet, jo si vitin e kaluar. Por, gjithsesi, mendojmë se mund ta përballojmë zhvillimin e procesit mësimor në auditore, sepse kemi numër të vogël studentësh, përveç Infermierisë dhe studentëve të Ekonomikut, mësimi për të cilët mendohet të zhvillohet pjesërisht në auditore dhe pjesërisht online”, specifikon Bello.
Në Univeristetin e Korçës ka mbi 4 mijë studentë aktivë dhe shumica e studentëve të rinj edhe në këtë vit akademik i përkasin degëve të Infermierisë dhe Ekonomikut. Për momentin nuk ka asnjë rast të personelit apo stafit akademik të prekur me COVID-19 apo të dyshuar si i prekur dhe që të jenë izoluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë