Menaxhim

Si do të ndahen plazhet. Shezllonë vetëm për hotelet!

Nga Gazeta ‘SI’ – Njoftimi i kryeministrit Edi Rama, se plazhi do t’u jepet vetëm hoteleve, ka marrë jetë në një udhëzim të fundit.

Publikuar në Fletoren Zyrtare, udhëzimi vendos kritere të reja për të marrë në shfrytëzim një stacion plazhi, duke vendosur si kriter kyç të përfituesit; akomodimin.

Kushti kryesor është që përfituesit të jenë struktura akomoduese të regjistruara dhe kategorizuara. Subjektet aplikojnë në platformën e-albania dhe më pas njësitë lokale të qeverisjes i vendosin në dispozicion hartë e hapësirave të lira.

Në pikën 7 të rregullores nënvizohet se në stacionin e plazhit ushtrojnë veprimtarinë subjektet që plotësojnë kriteret e kësaj rregullloreje dhe që lidhin një kontratë qiraje për përdorimin e hapësirës së plazhit, në varësi të kapacitetit të strukturës akomoduese, si dhe, rast pas rast, njësitë e vetëqeverisjes vendore përkatëse.

“Kur veprimtaria e stacionit të plazhit ushtrohet nga subjekt privat, subjekti përmbush kriteret, si më poshtë: a) Të jetë i regjistruar si person fizik/tregtar apo juridik për ushtrimin e veprimtarisë, si strukturë akomoduese; b) Të disponojë një strukturë akomoduese të kategorizuar nga ministria përgjegjëse për turizmin, me hapësirë plazhi para/në afërsi të strukturës akomoduese; c) Të ketë shlyer të gjitha detyrimet tatimore qendrore dhe detyrimet vendore; ç) Të ketë një plan operimi për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të plazhit, duke përfshirë kushtet minimale dhe kërkesat e sigurisë për stacionin e plazhit” thuhet në pikën 3 të nenit 7 të rregullores.

Udhëzimi thekson se nëse ka kontrata që zgjasin deri në vitin 2025, edhe nëse nuk janë struktura akomoduese do të lejohen të kryejnë aktivitetin. 

Në raportin e ndarjes së plazhit publik dhe privat rregullorja përcakton distanca të qarta nga vija e detit, mes çadrave si dhe raportin në 1000 m2 ku të paktën 30% janë publik. Plazhet ku ndërkohë nuk ka struktura akomoduese në masë siç janë Divjaka dhe Fieri sipas rregullores do të kalojnë me stacione plazhi për bar-restorantet duke vendosur kushte për këta të fundit.

Po kështu lidhur me ndarjen e kategorive të plazheve rregullorja përcakton katër  tipologji A) plazhi ranor, B) plazh zhavorr e shkëmbor, AB) plazh i ndërthurur midis llojit A dhe B, C) plazh i virgjër për përdorim të lirë, në të cilin nuk lejohet asnjë veprimtari për stacion plazhi, përveç mirëmbajtjes dhe pastrimit nga njësia e vetëqeverisjes vendore që e ka në administrim” thuhet në rregullore.

Për secilin prej tipologjive kushtet që duhet të ofrohen nga subjekti privat sa i takon higjienës, shërbimeve të integruara apo sigurisë janë të ndryshme.

Në shtator të këtij viti, në podkastin e tij, Rama adresoi problematikat e turizmit duke thënë se qeveria do të bëjë një “reformë” për menaxhimin e hapësirës së plazheve.

“Përveçse se ata kanë hotele nuk mund të jepen më leje plazhesh për të ardhur një individ, një person juridik apo fizik, për të thënë dua këtë plazhin këtu do të vë beach bar e do të vë shezllone.  Mund të vësh beach bar por nuk ke shezllone. Mund të kesh restorant por nuk ke shezllone. Plazhi duhet shijuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Dhe shijimi i plazhit mes atyre krevateve të ngjitur me njëri tjetrin është e pamundur.

Nuk mund të kesh një hotel me 40 dhoma dhe të vësh 200 shezllone e të marrësh popull aty e ti detyrosh të paguajnë. Do të vësh shezllone për aq sa ke kapacitet! Natyrisht jo një për dhomë, dhe do të lësh distancë nga shezlloni në shezllon.

Nuk mund ti çosh shezllonet deri në breg, që njerëzit kur duan të kalojnë në breg ta kenë të pamundur ose të biejnë me not ose të dalin nga rruga e të mallkojnë veten që erdhën në plazh. Kështu do të krijojmë një fashë atë që kemi thënë të hapësirës publike në vijën e ujit e ti do të tërhiqesh prapa”, paralajmëroi kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë