Arnaut Danjuma është i fundit që ka praktikuar terapinë e kupave dhe që gjithçka e ka bërë publike me postimet në rrjetet sociale. Një lloj terapie që sportistë të ndryshëm të njohur preferojnë ta aplikojnë, pasi, sipas tyre, i bën mirë trupit.
Ish-notari Majkëll Felps dhe sulmuesi Karim Benzema janë dy nga ata që e kanë praktikuar këtë terapi më parë. Danjuma, holandezi i Vilarrealit që i shënoi 2 gola Atalantës në ndeshjen e fundit në Champoions, ka postuar foto që tregojmnë shenjat që ka lënë në trupin e tij “Hijama Therapy”, “ventosaterapia”, apo më qartë për të gjithë shqiptarët, terapia e kupave.

Një terapi e ndjekur vite më parë, ndoshta edhe sot nga ata që e njohin në vendin tonë. Kush ka fatin ta ketë gjyshin ende gjallë dhe është kurioz, mund të marrë informacion më të saktë për këtë lloj terapie, që në vetvete një lloj mjekësie alternative. Në Shqipëri është përdorur më parë për të kaluar gjendje të rënduara shëndetësore, kryesisht ftohje të rënda, por ata që kanë ditur t’i shtien kupat kanë qenë të paktë…
“Kujdesuni për trupin tuaj, keni vetëm një”, – shkuante Arnaut Danjuma në Instagram, ku ka postuar edhe fotot e trajtimit, të cilit i është nënshtruar. Përveç tij, janë të shumtë edhe sportistët e tjerë që i besojnë kësaj praktike antike dhe kontroverse, sepse nuk bazohet në evidenca të qarta shkencore.

Çfarë është terapia e kupave
Bëhet fjalë për një praktikë mijëvjeçare të mjekësisë popullore, pjesë e teknikave terapeutike të mjekësisë tradicionale kineze dhe që konsiston në vendosjen në disa pika të trupit të kupave. Qëllimi është për të hequr pengesat që bllokojnë qarkullimin e gjakut dhe të ndihmojnë me oksigjen lëvizjen e substancave që ushqejnë gjakun.
Pse duhet bërë kjo lloj terapie? Zakonisht për probleme artikulare dhe muskulore në pjesën e kurrizit, por edhe për të mjekuar çikatriçet. Edhe pse është një praktikë që shumë e kanë praktikuar vetë edhe në shtëpi, e mira është që kupat të vendosen nga persona të kualifikuar në këtë drejtim, për të evituar pasoja të pakëndshme.
Shenjat e forta që Danjuma ka treguar në Instagram dhe që i kemi parë edhe në trupin e Karim Benzema, apo notarëve të ndryshëm, me Majkëll Felps në krye, sipas shpjegimit të Roberto Pulkrit, mjek ekspert i agopunturës dhe mjekësisë tradicionale kineze, vijnë për faktin se dalin në sipërfaqe mbetjet e toksinave. Lëkura skuqet, nëse procesi infiamator sapo ka përfunduar, nëse kalon pak kohë, merr ngjyrë mavi.

Danjuma ditët e fundit ka pasur probleme muskulore dhe ka publikuar foto e shpinës, ku kishin mbetur shenjat e kupave. Ai ka publikuar edhe një foto të momentit, ku po i nënshtrohej trajtimit.
Kujdes nga efektet anësore
Hedhja e kupave nuk është një praktikë e njohur nga mjekësia ndërkombëtare, është konsideruar një pseudoshkencë dhe nuk ka evidenca shkencore për efikasitetin e saj. Për disa mjekë, kjo terapi mund të bëhet vetëm në trupa të shëndoshë, si për shembull te sportistët. Kjo terapi mund të provokojë djegje, mavjosje dhe infeksione të lëkurës. Ka edhe shumë të tjerë spektikë, që mendojnë se kjo terapi e dëmton trupin, sidomos për ata të me lëkurë të brishtë, veçanërisht të moshuarit.
U ndalohet rreptësisht kjo terapi personave të shëndoshë, obezëve dhe grave shtatzëna, por edhe atyre që vuajnë nga sëmundjet kronike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.