Nga Gazeta “Si”– Një premtim i kryeministrit Edi Rama ka nxitur një sërë polemikash, pikëpyetjesh dhe kontestimesh lidhur me disa ndërhyrje që po ndodhin në burgun e Spaçit.
Fillimisht në media u raportua se ndërhyrjet lidheshin me realizimin e një filmi artistik me regjisor Namik Ajazin dhe skenarist, shkrimtarin Visar Zhiti, një projekt i propozuar ky kohë më parë në zyrën e Ramës.
Por një tabelë punimesh në atë zonë ka ngritur dyshimet e shoqërisë civile.
Në tabelë, rezulton se investitor i projektit është Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore në një afat punimesh prej 8 javësh. Por qëllimi i punimeve dhe arsyeja ende nuk janë të ditura plotësisht. Kjo ka ngritur dhe pikëpyetjet e shumë individëve të ndryshëm të cilët kanë kërkuar të pezullohen punimet deri në një qartësim të rrethanave.
Kësaj pakënaqësie, veç të ish-burgosurve i janë bashkuar edhe organizata të ndryshme të shoqërisë civile dhe po ashtu shoqata të përndjekurish të cilët akuzojnë se ndërhyrjet kanë si qëllim prishjen e autenticitetit të godinës së burgut me tendencën për ta zbukuruar realitetin e dikurshëm të këtij burgu famëkeq.
Zenel Drangu, kryetar i shoqatës së të përndjekurve politikë të Shkodrës, Fatos Lubonja, ish vuajtës në burgun e Spaçit , aktivisti Arnen Sula, e madje dhe vetë Visar Zhiti, janë disa nga zërat kundër këtij projekti.

Zhiti thotë për GazetaSi.al se ka kërkuar të xhirohet një film në burgun e Spaçit, të cilin e ka shkruar vetë si mision për të kujtuar vitet e dënimit atje.
“Kam shkruar një skenar filmi artistik për burgun e Spaçit dhe revoltën atje nja tre vjet më parë. Regjisori Namik Ajazi e ndjen si mision xhirimin e tij. Te dy jemi ish të burgosur politikë. Dëshira është që edhe piktori i filmit të ishte një ish i burgosur si ne, edhe në role do te donim kishte ish të burgosur, nga ne që jemi ende gjallë. Kjo do ta bënte filmin te veçantë në botë.Kaq persa me takon mua”

Ndërkaq, Zhiti shton se si ish i burgosur ka kërkuar disa herë kthimin në muze të burgut duke ndërhyrë aq sa mundet të kthehet në gjendjen dhe formën që ka qenë. Dhe thekson se nuk ka asnjë dijeni për punimet që po kryhen aktualisht dhe se filmi ende nuk ka asnjë mbështetje nga shteti shqiptar.
“Ndërkaq burgu i Spaçit është shkatërruar. Është kërkuar nga shoqata e individëve që burgu i Spaçit të kthehet në muze… kjo është punë e qeverisë, e institucioneve të saj, i specialistëve dhe komisioneve, i projekteve dhe nuk jam pyetur dhe s’kam parë ndonje projekt se si do të bëhet.
Unë si ish i burgosur atje u bashkohem të gjithë të burgosurve politike, që Spaçi të bëhet siç ishte. Sa e mundur është s’e di. Dhe të bëhet muze jo për shkak të filmit, por sepse duhet për kujtesën kolektive, etj, etj, dhe producentet e filmit do të shfrytëzojnë mundësinë e xhirimin në një mjedis autentik. Filmi deri me tani s’ka asnjë mbeshtetje financiare nga Shteti”- përfundon ai.

Burime pranë GazetaSi.al thonë se firma aktuale që po kryen punimet, ka devijuar nga projekti paraprak, duke shtuar elementë të cilët nuk përputhen me atë çfarë ka qënë burgu i Spaçit dikur.
Gjithashtu po këto burime garantojnë se burgu i Spaçit do të restaurohet duke iu referuar godinës së dikurshme dhe duke ruajtur pa asnjë ndërhyrje shtesë, autenticitetin e zonës.
Por pas disa dështimeve rradhazi në tenderin për restaurimin e Spaçit, duket sikur Burgu famëkeq nuk pranon ndërhyrje të cilat në një mënyrë ose tjetër, tentojnë të zbehin sapak tmerrin e asaj godine.
Fati i saj tashmë nuk lidhet vetëm me ata të cilët vuajtën denimet ç’njerëzore, por dhe vetë godinën fizike, e cila ashtu e errët dhe plot zymtësi, ndoshta kujton më shumë se sa e mveshur me bojëra dhe suva.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.