Trend

Si debati midis punës në zyrë dhe në distancë po ndryshon të ardhmen e punës

Nga Gazeta 'Si'-Vijon debati mes punëdhënësve dhe punonjësve mbi çështjen e rikthimit në zyrë. Shumë kompani po marrin një qëndrim të vendosur, duke u kërkuar punonjësve të rikthehen në zyrë.

38% e kompanive kërkon punën në zyrë me kohë të plotë – sipas Scoop Technologies. Në anën tjetër, një numër i madh punonjësish e kundërshtojnë këtë gjë, duke parapëlqyer mundësinë mes jetës profesionale dhe asaj private që krijohet nga puna në distancë. Disa madje do ta linin punën nëse do të duhej të ktheheshin në zyrë.

Ky konflikt nxjerr në pah ndryshimet kryesore mes përparësive dhe pritshmërive mes organizatave dhe punonjësve të tyre.

Kompanitë po e marrin seriozisht rikthimin në zyrë

Një sondazh i Resume Builder zbuloi se 90% e kompanive parashikon zbatimin e politikave të rikthimit në zyrë brenda vitit 2024, dhe thuajse 30% deklaruan se do t’i kërcënojnë t’i pushojnë nga puna punonjësit që nuk do të pranojnë të kthehen në zyrë”.

CEO i Meta, Mark Zuckerberg, ka thënë se do t’i pushojë nga puna punonjësit që nuk do të vijnë në zyrë të paktën tre ditë në javë.

Google e përfshin praninë në zyrë si faktor në procesin e vlerësimit të performancës. Edhe Zoom, kompani që i lejon punonjësit të punojnë në distancë, dëshiron që ata të rikthehen në zyrë.

Punëdhënësit kërkojnë përfshirjen dhe ndërveprimin e punonjësve

Në një anë, punëdhënësit janë gjithnjë e më të shqetësuar për angazhimin e punonjësve dhe për nevojën e një lidhjeje njerëzore.

Ata mendojnë se sinergjia e ndërveprimeve ballë për ballë dhe bisedat spontane që ndodhin në një hapësirë fizike të përbashkët janë të rëndësishme për të promovuar inovacionin, bashkëpunimin dhe një identitet të përbashkët korporativ.

Për shumë organizata, këto elemente shihen thelbësore për suksesin e tyre dhe të vështira për t’u ruajtur në një mjedis virtual.

Kultura e punës është dobësuar nga puna në distancë

Kompanitë janë gjithashtu të shqetësuara për dobësimin e mundshëm të kulturës së tyre të korporatës nëse puna në distancë vazhdon pafundësisht.

Përvojat e përbashkëta që ndërtojnë marrëdhëniet dhe ndjenjën e përkatësisë midis punonjësve nuk mund të rikrijohen lehtësisht nëpërmjet punës në distancë dhe shumë drejtues biznesi kanë frikë se pa kthimin në zyrë, kultura unike e kompanisë së tyre mund të gërryhet.

Në një sondazh të Korn Ferry të vitit 2022, dy të tretat e 15.000 drejtuesve në botë ranë dakord se kultura e korporatës përbën më shumë se 30% të vlerës së tregut të kompanisë së tyre.

Shumë liderë mendojnë se për të ndërtuar dhe për të ruajtur një kulturë të fortë kërkohet që të gjithë të punojnë në të njëjtin vend pune, të paktën për një pjesë të kohës.

Punonjësit parapëlqejnë në masë të madhe punën në distancë

Në anën tjetër, punonjësit dëshirojnë të vijojnë të punojnë në distancë. Ky fenomen, i nxitur nga pandemia, ka çuar në rivlerësimin e punës dhe rolit të saj në një jetë të mbushur me gëzim dhe kuptim.

Shumë punonjës parapëlqejnë elasticitetin dhe autonominë që vjen me punën në distancë. Për këta njerëz, ndërveprimi mes punës dhe jetës private është bërë një aspekt i panegociueshëm i kënaqësisë në punë dhe mirëqenies së përgjithshme.

Punonjësit parapëlqejnë në masë të madhe punën hibride. Sipas një sondazhi të Bankrate, rreth 68% e punonjësve me kohë të plotë parapëlqejnë një orar pune hibride, që parashikon të paktën një ditë pune në distancë dhe ditët e tjera në zyrë.

Rehatia e shmangies së vajtjes në punë, mundësia për të menaxhuar përgjegjësitë personale së bashku me angazhimet profesionale dhe konforti i përgjithshëm i të punuarit nga shtëpia janë ndër arsyet që citohen nga punonjësit për të ruajtur status-quo-në.

Modeli i punës në distancë tregoi se shumë punë mund të kryhen lehtësisht jashtë mjedisit tradicional të zyrës, duke sfiduar normat e vjetra rreth vendit ku duhet të kryhet puna.

Sondazhet dhe studimet sugjerojnë se një numër i konsiderueshëm punonjësish do të parapëlqente të jepte dorëheqjen sesa të hiqnin dorë nga përfitimet e punës në distancë.

Në fakt, 25% e njerëzve janë të gatshëm të largohen ose të ndryshojnë punë vetëm për të shmangur rikthimin në zyrë. Kjo ndjenjë është shprehur në të gjithë sektorët dhe nga të gjitha grupmoshat, duke treguar një ndryshim në shkallë të gjerë në pritshmëritë e punonjësve.

Mundësia e një eksodi në masë i talenteve është një shqetësim real për kompanitë, veçanërisht në një treg pune konkurrues, ku punonjësit e kualifikuar kanë mundësinë të kërkojnë më shumë fleksibilitet.

Natyrisht, kjo do të jetë një ndihmë për ato kompani që janë të hapura për punonjës që të punojnë plotësisht në distancë.

Kjo ngërç përbën një dilemë për bizneset. 73% e organizatave të anketuara thonë se po përballen me vështirësi që t’i bindin punonjësit të kthehen në punë. Në përgjigje të kësaj rezistence, 68% po shqyrtojnë ose zbatojnë strategji për të rritur praninë e numrit të punonjësve në zyrë.

Nga njëra anë, ata përballen me sfidën e mbajtjes së talenteve dhe shmangies së kostove që lidhen me qarkullimin e lartë (turnover). Në anën tjetër, kompanitë luftojnë për të ruajtur cilësinë e paprekshme, që kontribuojnë në suksesin e një kompanie.

Ndërsa situata evoluon, do të jetë vendimtar një dialog i hapur, me punëdhënësit që dëgjojnë shqetësimet e punonjësve dhe punonjësit që pranojnë shqetësimet legjitime të punëdhënësve të tyre.

Vetëm nëpërmjet mirëkuptimit dhe kompromisit të ndërsjellë mund të zgjidhet ky ngërç, në mënyrë që të përfitojnë të dyja palët dhe të çojnë në një të ardhme më të qëndrueshme dhe elastike.

Burimi: Forbes


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë