Analize

Si Asociacioni u bë ‘thembra e Akilit’ që po i rrezikon Kosovës anëtarësimin në KiE

Nga Gazeta ‘Si’- Tashmë është e sigurt që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës nuk është përfshirë në agjendën e Komitetit të Ministrave të kësaj organizate.

Edhe pse kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi para do ditësh se Kosova nuk e pranon Asociacionin si kusht, themelimi i tij u bë 'Thembra e Akilit’ dhe pavarësisht se ka qenë një thirrje e kamotshme e bashkësisë ndërkombëtare, u përdor më shumë se kurdoherë si levë presioni vetëm tani.

Kreshnik Ahmeti, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, i cili konfirmoi lajmin, shkroi se pavarësisht mbështetjes që gëzon Kosova për anëtarësim, kërkohet që kryeministri Albin Kurti të dërgojë draft-statutin e përgatitur nga BE-ja në Kushtetuese.

Në fakt, raporti i Dora Bakoyannis (raportuesja për Kosovën në Asamble) nuk e kushtëzonte anëtarësimin e Kosovës me Asociacionin, por pse nga Gjermani te Franca, zërat që diktonin njëfarë presioni për themelimin e tij u shpeshtuan ndjeshëm ditët e fundit dhe Kosova u përjashtua nga agjenda?

Kushtëzimi me Asociacionin, 'një kurth' ku Kurti ra pa menduar

Emir Abrashi, studiues i çështjeve ndërkombëtare gjykon për Gazetasi.al se kushtëzimi i procesit të integrimit të Kosovës në Këshillin e Europës me ndërmarrjen e hapave konkrete për formimin e Asociacionit, ishte një kurth në të cilin Albin Kurti ra pa e paramenduar.

“Në njërën anë, mungesa e çfarëdo suksesi në politikën e jashtme, nënkuptoi që Kurti do të vendoste të gjithë peshën në anëtarësimin në KiE, ndërkohë që kushtëzimi me Asociacionin, Kurtit ia thyente mitet mbi të cilat e kishte ngritur të gjithë retorikën që e solli në pushtet. Tashmë, cilido veprim, Kurtin do ta nxirrte keq para elektoratit të tij”, shton ai lidhur edhe me gatishmërinë e Kurtit për të hyrë në zgjedhje të parakohshme.

Sipas tij, Kosova asnjëherë nuk ka mundur dhe nuk do të mund t’i shmanget përgjegjësisë për të formuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, i cili derivon nga një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës.

“Maksimumi që Kosova mund të bëjë e që deri tani e ka bërë – është ta zvarrisë implementimin. Mirëpo, zvarritja e këtij procesi Kosovës do t’i sjellë momentume gjithnjë e më të pafavorshme”, citon Abrashi për Gazetasi.al ndërsa shton se sipas tij, mjeshtëria do të kishte qenë që ky Asociacion të formohej pa kompetenca ekzekutive e pa u shndërruar në pushtet të tretë.

“Megjithatë, me çdo ditë vonesë, e me çdo momentum të humbur, ne i largohemi më tej këtij rezultati të dëshiruar, duke rrezikuar krijimin e një mekanizmi i cili do të pamundësonte funksionimin normal të vendit”, vëren ai.

“Kurti i gatshëm për zgjedhje të parakohshme që të shmangë presionin për Asociacionin”

Ashtu siç shumë analistë dhe diplomatë, edhe Abrashi, gatishmërinë e Kurtit për të hyrë në zgjedhje të parakohshme 'e lexon' si një përpjekje për të sfumuar presionin që po i bëhet nga ndërkombëtarët.

“Tanimë kur janë zbehur të gjitha shpresat për anëtarësim në KiE, dhe marrë parasysh që ka presion gjithnjë e në rritje për Asociacionin, kur ballafaqohet me kolaps të Kuvendit dhe pamundësi për të kaluar ligjet që kërkojnë shumicë të theksuar, Kurti shprehet i gatshëm të shkojë në zgjedhje të parakohshme, ku mund të bëjë atë që di të bëj më së miri – viktimizimin.

Kurti këtë e sheh si një mundësi të mirë për t’ju shmangur presionit për Asociacionin në këtë fazë, të shfajësohet për dështimin në anëtarësim, si dhe duke e ditur që nga zgjedhjet do të duhet të formohet një qeveri që del nga një koalicion – duke e shpërndarë kështu përgjegjësinë”, deklaron ai për Gazetasi.al.

Tashmë që kanë mbetur vetëm dy ditë nga mbledhja e Ministrave të Jashtëm në Strasburg, shpresat për Kosovën e cila në arenën ndërkombëtare ndodhet në nivelin më të ulët diplomatik, janë krejtësisht të pakta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë