Nga Gazeta ‘SI’ - Vetëm 14% e familjeve shqiptare deklarojnë burime të qëndrueshme të të ardhurash shtesë, si qiratë, interes bankare, tituj etj.
Sipas vrojtimit periodik të Bankës së Shqipërisë 47% e familjeve vijojnë të deklarojnë të ardhura nga 17-50 mijë lekë në muaj. Megjithatë BSH vëren se struktura e të ardhurave po shkon në nivele të 50-100 mijë lekë në muaj, ku përfshihen 35% e familjeve. Por vetëm 9 % kanë të ardhura në nivelin 100-200 mijë lekë në muaj.
Paga mbetet për shqiptarët burimi kryesor i të ardhurave.. Por numri i të punësuarve dhe vetëpunësuarve ka rënë me 3% në gjysmën e dytë të vitit 2022, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë tregon se dhe numri total i të punësuarve ka rënë me 7% në terma vjetorë, ndikuar nga rënia me 15% në sektorin shtetëror dhe 17% tek të vetëpunësuarit.
Ndërkohë numri i të punësuarve në sektorin privat ka shënuar rritje me 6%.
Për shqiptarët që kanë të ardhura të qëndrueshme, 48% e këtij grupi kanë të ardhura nga depozitat, bono thesari etj dhe 20% deklarojnë të ardhura nga qiradhënia e pronave.
Një peshë të konsiderueshme rreth 30% ka vijuar të shënojë zëri “tjetër”, ku familjet përmendin si burim të ardhurash kryesisht ndihmën nga familjarë ose të afërm.
Njësoj me të ardhurat ka ndryshuar edhe struktura e shpenzimeve, drejt dy niveleve më të lartë 50-100 mijë dhe mbi 100 lekë në muaj. Kjo sipas BSH-së, është pasojë e rritjes së përgjithshme të çmimeve në vend.
Vrojtimi i BSH-së është bërë me një kampion prej 1.205 familjesh që janë përzgjedhur rastësisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.