Gazeta Si – Për shkak të një sëmundjeje të rëndë, ndahet nga jeta në moshën 57-vjeçare aktori i njohur i kinematografisë shqiptare, Enea Zhegu.
Ai ka qenë pjesë e disa prej filmave më të bukur shqiptar për fëmijë, si “Tomka dhe shokët e tij”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Njeriu me top”, “Një jetë më shumë”, dhe të tjera.
Zhegu u bë i njohur për rolin e “Tomkës” që e luajti kur ishte fëmijë në filmin e njohur “Tomka dhe shokët e tij”.
Ishte viti 1978, kur regjisori Dhimitër Anagnosti e zgjodhi Enea Zhegun për filmin “Lulëkuqet mbi mure”.
Një vit më pas, Viktor Gjika do ta merrte për filmin “Njeriu me top” e në këtë kohë do të zgjidhej dhe për rolin kryesor të filmit “Tomka dhe shokët e tij”.
Ky rol do ta bënte të famshëm, ndërsa ai ishte ende nxënës në klasën e shtatë. Enea Zhegu u përzgjodh nga regjisorja e njohur Xhanfize Keko në rolin e Tomkës, që ishte edhe komandanti i fëmijëve të lagjes së gurtë në atë film.
Por vitet e lavdisë për aktorin ikën me fëmijërinë, pasi ai nuk pati më role në film.
Miqtë në rrjetet sociale kanë shprehur ngushëllimet për ndarjen e tij nga jeta në moshë të re.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.