Art dhe Kulture

Shuhet në moshën 85-vjeçare aktorja Mimika Luca (Kërcimi i fundit me Viktor Zhustin 2 muaj më parë – Video)

Nga Gazeta Si - Ka ndërruar jetë mesditën e kësaj të hëne Mimika Luca, aktorja e madhe e skenës shqiptare në moshën 85-vjeçare.

Luca e cila ka interpretuar më shumë se 30 role gjatë karrierës së saj 15-vjeçare njihen si një ndër ikonat e viteve të arta të kinematografisë shqiptare.

Lajmi i ndarjes nga jeta u konfirmua nga djali i saj, Gjergj Luca.

“E shtrenjta nëna ime, Mimika Luca, sot mori rrugën për në Parajsë!”, shkruan ai.

Ajo ishte një aktore mjaft e dashur për publikun dhe ndonëse vitet kalonin, buzëqeshja dhe humori nuk venitej nga fytyra e saj.

Rreth dy muaj më parë, në 85-vjetorin e lindjes së saj, ajo shihej teksa kërcente me aktorin Viktor Zhusti, duke treguar në këtë mënyrë se vitet janë thjesht numra për të.

Dhimbja që la te familjarët, kolegët dhe ata që e njohën është e madhe, por aktorja e mirënjohur e skenës shqiptare iku pa asnjë peng nga kjo botë. Në prag të 85-vjetorit, rreth dy muaj më parë në një intervistë ajo do të shprehej:

“S’kam asnjë peng. Madje gjëja më e bukur është që Gjergji i vuri emrin djalit të vogël, Ndrek Luca. I ngjet shumë…”.

Mimika Luca, cilësohet si një aktore shumëdimensionale si në teatër ashtu edhe në kinematografi.

Pas njohjes me bashkëshortin e saj Ndrek Luca, gjithashtu aktor, Mimika Luca iu përkushtua me dashuri artit dramatik dhe ku pati sukses në interpretimet e saj.

Interpretimin e saj ndër më të mirët e ka në dramën “Drita”, dramë e shkruar nga vetë aktorja.

Luca u lind më datë 24 dhjetor të vitit 1937 në qytetin e Gjirokastrës. Gjatë fëmijërisë së saj ka kaluar shumë vështirësi. Megjithatë ajo arriti të ndiqte pasionin e saj për artin dhe sidomos atë për baletin. Ajo ka interpretuar si balerinë së skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit nga viti 1951 deri në vitin 1962 ku edhe spikati për talentin dhe për aftësitë e saj fizike.

Gjatë karrierës së saj 15-vjeçare si aktore Mimika Luca ka interpretuar në rreth 30 role ku ndër to veçohen Luçia te “Borgjezi fisnik”, Tjen Ny te “Muri i madh”, Dila te drama “Cuca e maleve”, Nica te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, Laja te “Kur hidheshin themelet”, Sonja te “Xhaxha Vanja”. Interpretimin e saj ndër më të mirët e ka në dramën “Drita”, dramë e shkruar nga vetë aktorja.

Mimika Luca ka interpretuar gjithashtu edhe në shumë filma artistikë si “Treni niset në shtatë pa pesë” “Përrallë nga e kaluara” “Taulanti kërkon një motër” e shumë të tjerë.

Në vitin 1977 ajo emërohet edhe pedagoge në “Institutin e Lartë të Arteve” dega e Dramës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë