Kinema

Shuhet ‘Sokrati’ shqiptar / Ikona e artit, aktori Mirush Kabashi u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare

Gazeta Si - Ikona e artit shqiptar, aktori i mirënjohur i teatrit dhe kinemasë, Mirush Kabashi ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare.

Lajmin e hidhur e ndau familja e ti, të cilët përmes një njoftimi lajmëruan se Kabashi mbylli sytë mesnatën e sotme.

Ai prej vitesh vuante nga një sëmundje e rëndë, të cilën e kuronte jashtë Shqipërisë, ndërsa gjendja e shëndetësore ishte renduar kohët e fundit.

“Të nderuar miq, kolegë dhe dashamirës, me pikëllim të thellë ju njoftojmë se Mirush Kabashi ndërroi jetë të Martën, në datë 5 Dhjetor pas mesnate. Përsa i përket detajeve të ditës, orës së varrimit dhe homazheve do ju komunikojmë në orët në vazhdim”, njoftuan ata.

Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër, por u rrit në Durrës, edhe pse origjina e tij ishte nga Gjakova.

Kabashi ishte aktor i rreth 100 roleve, në teatër dhe filma. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike.

Ai është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Kabashi ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare.

E ndërsa një pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”.

Interpretimi dhe ngjyrimi emcional i roleve, e veçonin Mirush Kabashin. Personazhet e mishëruara nga ai bien në sy për origjinalitet, për elegancën, duke frymuar karaktere me ndryshime të ndjeshme nga njëri te tjetri, të përzgjedhur me mencuri dhe intuitë.

Spikati në rolet satirike dhe komike. U dallua fillimisht me krijimin e figurës qesharake të Telit në komedinë "Kartela e verdhë e Haxhi Ramës" (1976), ku luajti me lirshmëri dhe tifozin e pasionuar qe ndjek skuadrën dhe lojtarin e tij të zemrës.

Ky rol u pasua më tutje me karaktere të tilla komike, si: Diafarusi në komedine “I sëmuri imagjinar e Molierit” (1982), me të cilin luajti mjaft bukur me elegancen plastike te tij, me perpunimin e gjestit, c’ka i dhanë Kabashit hirin, sharmin, ngjyrimin dhe stilin klasicist.

Në festivalin Kombëtar të teatrove profesioniste 1989 u shpall “Aktori më i mirë” me rolin e Sadush Nezirit te komedia "Hija e tjetrit" e Ruzhdi Pulahes.

Po me këtë rol, në "Festivalin Teatror Ballkanik", të zhvilluar ne Korinth te Greqisë, u vlerësua si ndër aktorët më të mirë. Në vitin 2002 fitoi cmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist ne Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002” me rolin e Nokes në komedinë “Sa mirë bëri që vdiq” e Ilir Bezhanit

Më 1997 në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, Mirush Kabashi është vlerësuar me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës.

Mirush Kabashi është vlerësuar me titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”. Në fund të vitit 2014 ai u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë