Sot kultura shqiptare ka humbur një nga zërat më të fortë të saj, poetin, shkrimtarin, studiuesin dhe piktorin Moikom Zeqo. Mëngjesin e kësaj të hëne ai u shua përgjithmonë në moshën 71-vjeçare pas një beteje me një sëmundje të rëndë, nga e cila vuante prej disa vitesh.
Moikom Zeqo ishte një artist gjithnjë i trazuar dhe gjithnjë në kërkim të universeve të reja të artit.
Ai mbeti një shpirt i lirë që nuk reshti kurrë edhe në ditët e fundit të jetës së përpjekuri për kulturën dhe për shumë çështje të tjera të aktualitetit shqiptar.
Ishte një ndër të vetmit në hapësirën tonë shqiptare me një prodhimtari botuese të jashtëzakonshme, mbi 100 libra ku ndërthuret dija dhe argumentet e ndryshme.
Autor i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit, si dhe i një sërë skenarësh për filma kinematografike e televizivë me karakter arkeologjik dhe kulturor. Veprat e tij kanë marrë disa herë çmime të para dhe janë përkthyer në mjaft gjuhë të botës, si: anglisht, frëngjisht, greqisht, italisht, bullgarisht, rumanisht, polonisht, danisht, esperanto, gjermanisht etj. Është autor i tri ekspozitave vetjake në pikturë, si dhe ka përfaqësuar Shqipërinë në Konferenca Shkencore Ndërkombëtare me dhjetëra herë, i vlerësuar nga personalitete të larta të kulturës shqiptare dhe të huaj.
Moikom Zeqo lindi më 3 qershor 1949 në qytetin e Durrësit. Arsimin fillor e kreu në Libohovë. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës në Fakultetin Histori-Filologji, degën gjuhë-letërsi dhe më vonë në degën Histori- arkeologji. Studimet pasuniversitare i kreu në Romë, Athinë, dhe Uashington të SHBA-së. Më 1971-1974 punoi si gazetar dhe redaktor letrar i gazetës “Drita” dhe në vijim si mësues në Rrogozhinë. Më 1979-1987 qe punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit dhe më 1987-1990 punoi si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë. Më 31 janar-10 maj 1991 u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe po atë vit iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Më 1997-2005 ka qenë drejtor i Muzeut Kombëtar.
I është dhënë titulli Doktor i Shkencave dhe mban Urdhrin e Lartë “Mjeshtër i Madh”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



