Ndërron jetë në moshën 70-vjeçare skulptori i njohur Agim Rada. Ai ishte shtruar në spital prej dy ditësh pasi prej kohësh vuante dhe mjekohej për një problem me mushkëritë, por nuk mundi të fitonte betejën për jetën.
Agim Rada lindi më 24 maj 1953 në Tiranë. Punimet i tij përfshin statujat, skalitur në bronz të figurave të tilla si Marin Barleti, Gjergj Elez Alia, Onufrit, dhe Petro Marko.
“Krijimtaria ime nuk ka qenë kurrë e politizuar, figurat kanë qenë përherë figura të ndritura të kombit, që nuk i kanë shërbyer politikës së ditës, që sot janë në maj të Olimpit nesër gremisen në fund. Unë kam bërë figura që i kanë rezistuar kohës, ndriçimit që ata vetprodhuan. Për këtë jemi shumë borxhli vendit tonë. Prandaj, derisa të jap frymë, unë jam në shërbim të kombit edhe të këtyre figurave”, do të shprehej Rada.
Në vilën e tij në ish Bllokun e Ambasadave Rada kishte çelur së fundmi “Shtëpinë e artistit”, një mini muze të memories, për të kujtuar të gjithë kolegët e tij që vuajtën gjatë regjimit komunist edhe përmes pikturave të tij plot mesazhe të forta. Artisti e njihte mirë persekutimin e totalitarizmit, pasi e vuajti në lëkurë me burgosjen e babait.
Me brengën për neglizhencën institucionale ndaj veprave publike, por edhe keqpërdorimin e hapësirave, Rada vitet e fundit gdhendi shtatoren e Homerit shqiptar, Gjergj Fishtës.
Kolegë e miq të artistit kanë shprehur ngushëllimet për shuarjen fizike të artistit dhe njeriut të vlerave të rralla.
Përcjellja për në banesën e fundit bëhet nesër në orën 11.00 në Petrelë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.