Kinema

Shuhet në moshën 36-vjeçare Darren Kent, aktori i ‘Games of Thrones’

Shuhet në moshën 36-vjeçare aktori Darren Kent. Ai ishte i njohur për pjesëmarrjen në “Game of Thrones” dhe seriale dhe filma të tjerë televizivë.

Ai luajti role të shkurtra në programet televizive, “Green Fingers” dhe “Malpractice”.

Ai gjithashtu u shfaq në episodet e “East Enders” dhe në fillim të këtij viti luajti në “Dungeons and Dragons: Honor Among Thieves”.

Kent luajti rolin e tij si aktor në filmin “Mirrors” të vitit 2008, me Ben Carson, dhe më vonë fitoi çmimin e ‘aktorit më të mirë’ në ceremoninë e ‘Van D’or’ të vitit 2012 për personazhin Danny në filmin “Sunnyboy”.

Lajmi për vdekjen e tij u bë i ditur nga agjencia e tij ‘Carey Dodd Associates’. Nëpërmjet një njoftimi për publikun thuhej:

“Me pikëllim të thellë duhet t’ju themi se miku ynë Darren Kent ndërroi jetë të premten. Darren nuk ishte vetëm një aktor, regjisor dhe shkrimtar i talentuar, ai ishte me të vërtetë një nga njerëzit më të sjellshëm që kam pasur ndonjëherë kënaqësinë të takoja. Ka qenë një privilegj dhe kënaqësi të isha pjesë e rrugëtimit të tij. U prehsh në paqe”.

Postimi i fundit

Më 5 korrik, aktori kishte shkruar një postim në rrjetet e tij sociale, ku shprehej i entuziazmuar për premierën e afërt të projektit të tij të fundit, një film me titull “Alleviate”.

Sipas Daily Mail, aktori ishte një mbështetës i “Equal People Performing Arts”, një shoqatë që u dedikohet personave me aftësi të kufizuara në përpjekje për t’i bërë ata t’i bashkohen botës së spektaklit.

Sëmundje të ndryshme

Kent vuante nga artriti, osteoporoza dhe një sëmundje e rrallë e lëkurës. Rrjetet sociale u mbushën me mesazhe ngushëllimi nga njerëz që e njohën me rolet e tij në seriale dhe filma, por edhe nga kolegë e regjisorë që shprehën publikisht lamtumirën e tyre.

Regjisorja Jane Gull shkroi një postim duke thënë se “jeta thjesht nuk do të jetë e njëjtë” pa Kentin. “Çfarë privilegji ka qenë të jesh miku yt dhe të punosh së bashku në kaq shumë projekte gjatë viteve. Do të më mungosh shumë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë