Nga Gazeta ‘Si’ – Shuhet në moshën 85-vjeçare, një nga piktorët më të mirë shqiptar, Pjerin Sheldija, i njohur edhe si “Mikelanxheloja i Shkodrës”.
Ai është edhe autori i mbi 200 afreskeve në mbi 35 kisha në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Itali dhe në Angli.
Çdo punim, që kur ishte fëmije e deri në momentin që mbylli sytë, Sheldija vetëm i ka dhuruar duke mos pranuar t’i shesë për para.
Pikturat e tij janë kaq të rralla sa 3 prej tyre, ndodhen sot në Vatikan dhe për kontributin e dhënë, Papa Benedikti i 16-të e ka nderuar Sheldinë, “Distinktivin e Kryqit të Shenjtë për Kishën dhe për Papën”.
Ndërsa Famullia e Bushatit ka në kishat e saj tri punime të mjeshtrit Sheldija, dy në kishën e Rranxave, pikturën për martirin e këtij fshati, Mark Çuni, si edhe pikturën e Shën N’kollit, emrin e të cilit mban kjo kishë.
Pikërisht para pak ditësh, më datë 26 gusht, familja e Pjerinit i dhuroi kishës së Bushatit punimin e tij të fundit (ende të papërfunduar), pikturë ku pasqyrohet vizita e Nënë Terezës në Bushat.


Jeta dhe vepra e piktorit Pjerin Sheldija
Mjeshtri i pikturës Pjerin Sheldija lindi në lagjen Arra e Madhe të Shkodrës (afër shpisë së Pashko Vasës) më 9 korrik 1937, në një familje të njohur katolike e qytetare shkodrane. Qysh i vogël ai dha shenjat e para të talentit për pikturë të cilën ia kultivoi më pas mësuesi i tij i vizatimit Luigj Sheldija.
Përpara se të fillonte mësimet në Liceun Artistik, Pjerini së bashku me Bahri Jubanin krijojnë Repartin e Pikturës në Kooperativën e Fotografisë në Shkodër, që ishte i pari laborator shtetëror i këtij llojit, për të plotësuar nevojat e agjitacionit figurativ të qytetit.
Pas mbarimit të Liceut në vitin 1961 u emërua mësues në Shkollën Pedagogjike të Shkodër. Gjatë periudhës së mësimdhënies ai punoi në disa shkolla të Shkodrës si mësues vizatimi. Krahas punës si mësues ai punonte pa ndërprerje edhe vizatime, piktura e karikatura, merrte pjesë në ekspozita të ndryshme lokale e kombëtare si dhe botonte punimet e tij (vizatime e karikatura) në organet e shtypit të kohës.
Si të gjithë artistët, krijimtaria e Sheldisë në periudhën komuniste iu përmbajt në mënyrë të detyrueshme metodës së realizmit socialist, temave të kohës. Ai ka lëvruar të gjitha llojet e gjinive, ka provuar cdo teknikë, por kompozimi e tërhiqte më tepër, pa lënë mbrapa portretin, peizazhin e natyrën e qetë.




Dalja e tij në pension qëlloi në ditët e rrëzimit të komunizmit në Shqipëri. Në këtë kohë, Sheldija iu kushtua plotësisht pikturës, por kësaj here pikturës së lirë nga ndikimet partiake të realizmit socialist. Që nga viti 1992, mjeshtri Pjerin Sheldija ishte i pari piktor që filloi të pasqyrojë në veprat e tij persekutimin e klerit katolik, me të parën tablo KRYQËZIMI I SHEKULLIT XX, të cilën ia dhuroj Kuvendit Françeskan në Shkodër. Për afro 25 vjet, me qëllim ringritjen e Kishave dhe dekorimin e tyre, mjeshtri shtegtoi në shumë krahina të Shqipërisë, të Kosovës e Malit të Zi. Ai nuk kërkoi për punën e kryer asnjëherë shuma të mëdha shpërblimi edhe pse ishte punë voluminoze. 20 vitet e fundit ia punoi falas. Si shpërblim, me rastin e 70-vjetorit të piktorit, Provinca Françeskane në Shkodër, botoi një album ku përmblidhen të gjitha pikturat e tia me temë fetare.
Mjeshtri Pjerin Sheldija punoi në zbukurimin e pothuajse të gjitha kishave të Shkodrës dhe të fshatrave përreth, si në vepra murale, por edhe në pikturën në telajo. Për kontributin e tij të çmuar, Bashkia e Shkodrës e ka nderuar me titullin “Mirënjohja e Qytetit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.