Art dhe Kulture

Shuhet gjeniu i letrave shqipe, Ismail Kadare ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare

Gazeta Si - Ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare shrimtari i madh i letërsisë shqipe Ismail Kadare. Mësohet se ai ka mbyllur sytë përgjithmonë mëngjesin e kësaj të hëne në urgjencë.

Autori më i madh shqiptar dhe prozatori kolos i letrave shqipe e filloi karrierën së pari si poet e më pas si dramaturg e autor.

Me studime në Moskë dhe miqësitë e gjata ai ishte nga shkrimtarët më të veçantë duke qenë në të njëjtën kohë dhe disident.

Nga veprat e tij më të njohura mund të veçojmë « Gjeneralin e ushtrisë së vdekur » dhe poezinë tashmë aq të famshme, “Mall”.

Lindi në Gjirokastër, ku kreu studimet e mesme. U diplomua për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës dhe në vijim studioi në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” në Moskë. Fillimet letrare të Kadaresë janë kryesisht në poezi (“Frymëzime djaloshare”, 1954; “Ëndërrimet”, 1957; “Shekulli im”, 1961; “Përse mendohen këto male”, 1964; “Motive me diell”, 1968; “Koha”, 1976).

Me emrin e tij lidhet ardhja në letërsi e “brezit të viteve 1960”, që solli një frymë emancipimi të përgjithshëm në kulturën kombëtare.

Vepra e parë e rëndësishme e Kadaresë është romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), që është një pikë kthese në prozën moderne shqiptare. Në prozën e tij, Kadare e vështron të shkuarën jo vetëm si histori qëndrese heroike, por si histori mbijetese të identitetit shqiptar. Pasojnë romanet: “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Muzgu i perëndive të stepës”, “Vit i mbrapshtë”, “Shkaba”, “Spiritus”, “Hija”, “Pasardhësi”, ku vihen përballë vlerat e jetës dhe çmimi i vdekjes. Romani “Kush e solli Doruntinën” (1979) u kujtoi bashkëvendësve ringjalljen, rilindjen, atë vlerë që gjendej në baladat e hershme të tyre dhe që mbante shenjën e humanizmit të Rilindjes Europiane.

Ndërkaq, “Kronikë në gur” (1971) është romani i dytë i Kadaresë që trajton temën e luftës antifashiste, e parë me sytë e një fëmije tregohet si një lojë, ku palët shfaqen si në një teatër. Ndërkaq, romani “Kështjella” është quajtur “roman historik”, por dhe “roman i heroit të papranishëm”.

Autori arrin të ngrejë në këtë roman kultin e bashkësisë në vend të kultit të heroit të përveçëm. Romanet e Kadaresë me temë nga historia, të shkuarën e kanë kryesisht si një shkas për të sotmen. Nocioni i kështjellës është i pranishëm edhe te “Prilli i thyer” (kulla e ngujimit); te “Krushqit janë të ngrirë”, te “Ndërtimi i piramidës së Keopsit”, te “Piramida”.

Në të kundërtën, nocioni i urës gjendet tek “Ura me tri harqe”, “Kush e solli Doruntinën”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Kushëriri i engjëjve”.

Romani “Dimri i madh” (1977) është varianti i ripunuar i veprës “Dimri i vetmisë së madhe”, që u botua më 1973, në të cilin trajtohet tema e konfliktit me sovjetikët. Romani tjetër “Koncert në fund të dimrit”(1987), trajtoin temën e konfliktit me kinezët.

Romani “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1979) përfaqëson veprën më problematike dhe më mospajtuese të Kadaresë me realizmin socialist Thelbi i romanit është alegoria politike antitotalitariste, duke marrë shkas prej mënyrës së funksionimit të ish-Perandorisë Osmane.

Ndërkaq, letërsia e Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.

Veprat e Kadareës janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të huaja. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë, është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.

Çmimet

Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”. Ismail Kadare më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, "Princi i Asturias për Letërsi", një nga çmimet me prestigjioze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohej emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabuçhi. Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”. Kadare u vlerësua me çmimin ‘Man Booker International’ më 2005, çmimin ‘Princesa de Asturias’ për Artet më 2009 dhe Çmimin ‘Jeruzalem’ më 2015.

Kadare u vlerësua dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. Ishte vetë presidenti francez Emmanuel Macron, që i dorëzoi Kadaresë dekoratën e "Oficerit të Lartë të Legjionit të Nderit" gjatë vizitës në Tiranë.

10 librat më të lexuar të Ismail Kadaresë, gjatë gjithë veprimtarisë së tij letrare.

“Pallati i ëndrrave”

Pallati i Ëndrrave” është një nga romanet thelbësore të Ismail Kadaresë, me frymën e epikës, të cilën letërsia europiane e ka listuar mes veprave më të mira. Kjo vepër ka qenë nxitje që Kadare të përfshihet në listën e kandidaturave për çmimin “Nobel”. Ai do ta meritonte atë çmim edhe sikur të kishte shkruar vetëm “Pallati i Ëndrrave”, si hipotezë mbi historinë e vërtetë të viktimave të vrasjeve të mëdha ose mbi atë pagjumësi kolektive që perandoria otomane nuk mund të tolerojë. Si e tillë, ajo sot vazhdon të lexohet me ëndje dhe rrok një numër të madh interpretimesh nga lexuesit e ditëve tona.

“Kronikë në gur”

Ky roman shënon një nga veprat më të rëndësishme të autorit; sepse rrok raportin që fëmija krijon me botën, përmes një projeksioni autobiografik, ku qyteti i Gjirokastrës ka ngjyra magjike, të cilat vijnë mjeshtrisht në romanin e Kadaresë. “Kronikë në gur” afirmohet menjëherë si vepër thelbësore në kuadrin e krejt krijimtarisë së Kadaresë. Është roman i hyrjes në jetë dhe në letërsi. Tregimtari është autori, që përpiqet të rishohë me sytë e fëmijës tetë vitet e para të jetës së tij. Që nga kjo fëmijëri e kanë zanafillën elementet që përbëjnë “universin Kadare“. Ai fiton sensin e tij të mprehtë të fantastikes, apo të “realizmit magjik”.

“Prilli i thyer”

Duke lexuar “Prillin e thyer” kuptohet lehtësisht përse dhe me çfarë force Ismail Kadare është pasionuar për tragjedinë dhe për dy përfaqësuesit më të shquar të saj, Shekspirin dhe Eskilin. “Miku, besa dhe gjakmarrja janë rrotat e mekanizmit të tragjedisë antike, dhe të futesh në mekanizmin e tyre është të shikosh mundësinë e tragjedisë”. I shkruar më 1978 dhe i botuar fillimisht më 1980 në një përmbledhje tregimesh e novelash, të titulluar “Gjakftohtësia”, “Prilli i thyer” e pa dritën e botimit si libër më vete shumë vite më pas, pas rënies së komunizmit. I vetmi roman në qendër të të cilit shtjellohen ngjarje që lidhen me kodin zakonor shqiptar, një nga shenjat identifikuese më të moçme e të dallueshme të kombit, kjo vepër është një ndër më të njohurat e Kadaresë në planin botëror.

“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”

Është romani i parë modernist i shkruar gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX në Shqipëri. Kjo vepër e bëri njëherësh të njohur autorin dhe letërsinë shqipe në të gjithë botën dhe konsiderohet si vepra më e përkthyer në gjuhët e ndryshme të botës. Romani zhvillohet rreth një gjenerali italian, i cili është dërguar në Shqipëri për të gjetur eshtrat e ushtarëve të rënë italian gjatë kohës të pushtimit të Shqipërisë. Detyra kryesore e gjeneralit është kërkimi dhe gjetja e eshtrave të një koloneli, i cili u zhduk pa gjurmë në një fshat të vogël shqiptar.

“Kështjella”

Në romanin “Kështjella” Ismail Kadare kthen sytë nga mesjeta shqiptare. Në dukje i distancuar dhe i paanshëm, ai rrok veprimet për rrethimin e një kështjelle shqiptare nga një ushtri turke prej shtatëdhjetë mijë vetash në formën e një romani historik. Rrëfimi bëhet nga perspektiva e rrethuesve osmanë, çadrat e bardha të të cilëve e kanë kthyer mjedisin përreth kështjellës në një peizazh dimëror.

“Dimri i vetmisë së madhe”

Ky nuk është një roman politik i koniukturave, që tregon se si u zunë binjakët politikë, shoku Enver me shokun Nikita, por një analizë psikologjike e gjendjes së shqërisë gjatë periudhës totalitare, tepër e ngjashme me problemet tona. Ky roman provon se fuqia rrafshuese e realizmit socialist është e pamjaftueshme përpara një talenti, siç është shkrimtari shqiptar Ismail Kadare.

“Ura me tri harqe”

Në qendër të librit  gjendet një baladë, dhe ishte më e urtë të përqendrohej vëmendja mbi ndërtimin e ngrehinës e shfaqjen e njëkohshme të legjendës. Për t’ia arritur këtij qëllimi, Ismail Kadareja zgjedh tonin e kronikës dhe vë në punë një rrëfimtar të veçantë, murgun Gjon. Nën zhgunin e tij është fshehur një personazh i vërtetë.

“Aksidenti”

Në një pasdite kryeqytetase, personazhi i këtij romani i propozon gruas së hijshme të porsanjohur diçka që do të dukej e papërfytyrueshme disa vite më parë, gjatë kohë së komunizmit: një udhëtim fundjavor në një qytet të Europës. Kështu ka filluar ngjarja e përshkruar në romanin “Aksidenti”, e para vepër e autorit që, përpara se të botohej në shqip, është përkthyer e botuar ndërkaq në disa vende të Europës.

“Kristal”

Botimi i librit poetik “Ca pika shiu ranë mbi qelq” të Kadaresë, zgjoi një interes të madh te lexuesi shqiptar. Në përgjigje të kërkesave të shumta të fansave të poezisë, shtëpia botuese “Onufri” po i jep lexuesit një tjetër përmbledhje të poetit, këtë herë me 60 poezi dhe poema të zgjedhura, asnjëra prej të cilave nuk përfshihet në librin e mëparshëm. Ansambli prej njëqind poezish që përmbajnë këto dy libra, përfaqëson pjesën më të mirë të krejt krijimtarisë poetike gati gjysmëshekullore të Kadaresë.

“Mosmarrëveshja”

Harmonia me Europën e Bashkuar do të ishte pjesë e harmonisë ndërshqiptare. E për t’iu kthyer motivit nismëtar të kësaj sprove, mosmarrëveshja e mundshme mes Europës dhe Shqipërisë, do të ishte në thelb mosmarrëveshje me vetveten. Harmonia me Europën e Bashkuar do të ishte pjesë e harmonisë ndërshqiptare. E për t’iu kthyer motivit nismëtar të kësaj sprove, mosmarrëveshja e mundshme mes Europës dhe Shqipërisë, do të ishte në thelb mosmarrëveshje me vetveten. Shqiptarët me shenjat e tyre, flamurin dhe himnin, do të aviteshin me drojë te sheshi i kombeve, përballë flamurit dhe himnit të Europës, muzikës së Bethovenit dhe fjalëve të Schiller-it për vëllazërimin e popujve, me tagrin për të dhënë zërin dhe arsyet e Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë