Kinema

Shuhet ‘Babai i Tilit’, ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare aktori Lutfi Hoxha

Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare “Mjeshtri i Madh”, Lutfi Hoxha, aktor i dhjetëra roleve në teatër dhe kinematografi.

Lajmin e ka bërë të ditur Teatri “Aleksandër Moisiu” ditën e sotme nëpërmjet një njoftimi:

“Qofsh i dritës engjëll i mirë e i bardhë. Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga gjiri ynë artistik i xhevahirit të fundit të plejadës së artë të teatrit ‘Aleksandër Moisiu’. Lutfi Hoxha e jetoi këtë jetë në skenë, aty ku dha gjithçka”, njoftoi Teatri i Durrësit këtë të diel ndarjen nga jeta të mjeshtrit të skenës Lutfi Hoxha.

Homazhet në nder të tij do të zhvillohen ditën e nesërme në hollin e Teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Në 66 vjet jetë artistike si profesionist ai ka “bashkëjetuar” me 95 role në teatër dhe 22 të tjerë në kinematografi.

Rolet e tij më të njohura janë në filmat shqiptarë si “Shoku ynë Tili”, “Dollia e dasmës sime”, “Tingujt e luftës”, etj.

Lutfi Hoxha deri vonë ishte aktor aktiv në teatrin e Durrësit, të cilin Luti, siç e njohin të gjithë, e quante “shtëpia e tij e dytë”.

Aktori Lutfi Hoxha

Lutfi Hoxha lindi më 1 Qershor 1934. Në janar 1953 ishte një nga themeluesit e teatrit “Aleksandër Moisiu”, në Durrës, ku ai luajti deri në fund të karrierës së tij artistike.

Filmat ku ka luajtur:

Ne dhe Lenini (2009)

Një ditë e mrekullueshme (2003) TV

Vetmi (1990) – Leko

Pranvera s’erdhi vetëm (1988)

Nata e parë e lirisë (1984) – Hamalli

Shoku ynë Tili (1981) – Qemali

Në prag të lirisë (1981) – Veliu

Intendenti (1980) – File

Dollia e dasmës sime (1978) – Krushku

Një udhëtim i vështirë (1977)

Tingujt e luftës (1976)

Thirrja (1976) – Ndue

Pylli i lirisë (1976) – Nauni

Ilegalet (1976)

Rrugicat që kërkonin diell (1975) – Përgjegjës i bojaxhinjve – anëtar i njësitit

Detyrë e posaçme (1963)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë