Politike

Shtyrja e vitit shkollor, Pampuri: Qeveria dështoi, nuk nxori mësim nga viti i kaluar

Deputetja e zgjedhur e PD-së, Oriola Pampuri, tha se shtyrja e vitit shkollor me dy javë dëshmon se, Ministria e Arsimit ka dështuar me mësimin online.

“Boshllëqet nga dështimi i mësimit online dhe mangësitë në mësues ndihmës nuk mund të zgjidhen duke shtyrë datën e nisjes së procesit mësimor, e cila në vetvete nuk bën gjë tjetër veçse krijon hendeqe të tjera për nxënësit, sa i përket njohurive për vitin e ardhshëm mësimor. I gjithë ky ç’organizim vjen pikërisht nga paaftësia për të menaxhuar situatën përballë pandemisë, si me mësimin online, ashtu edhe me mësuesit ndihmës”.

Sipas saj, detyra e qeverisë ishte të bënte mësim plotësues gjatë verës, kur infektimet ishin të pakta. “Ndërsa shtyrja e tanishme e mësimit do të ketë efekte zinxhir për mësimdhënien, për familjet, në kushtet e rritjes së kurbës së infektimeve në vjeshtë. Asnjë mësim nuk nxorën nga viti i shkuar, përkundrazi, vijojnë të veprojnë pa plan, duke lënë në mëshirë të fatit nxënësit dhe mësuesit”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë