Drejtësia

Shtyhet seanca për inceneratorin e Fierit, pretendimet e të akuzuarve

Gazeta Si - Me argumentin për t’u njohur me kërkesat e avokatëve të të pandehurve, është shtyrë këtë të hënë seanca për incerenatorin e Fierit.  Gjykata e Posaçme caktoi seancën e radhës për në datën 29 maj ora 10.00.

Debatet më të mëdha në këte seancë, i pati Arben Dervishaj dhe Arenc Myrtezani, të cilët kërkuan moskompetencë dhe kalimin e dosjes në gjykatën e rrethit dhe pavlefshmëri të akt-ekspertimeve të kryera për inceneratorin e Fierit.

Myrtezani, nëpërmjet avokatit, i tha gjykatës së i gjithe dokumentacioni i firmosur prej tij, është i falsifikuar dhe SPAK nuk ka bërë asnjë verifikim për këtë.

Ndërkohë Dervishaj, ndaj të cilit ndryshoi akuza gjatë seancës paraprake, kërkoi që çështja ndaj tij të gjykohet në Gjykatën e Tiranës.

Pjesa tjetër e të pandehurve, përfshi Kokën dhe Bllakon, patën kërkesën e vetme atë të gjykimit të shkurtuar.

Për të marrë në shqyrtim këto kërkesa të të pandehurve, Gjykata e Posaçme mori kohë deri në datën 29 maj, për të dalë me një vendim.

Koka, Bllako dhe 16 të pandehur të tjerë akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre në dosjen e inceneratorit të Fierit.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në total për të përfshirët në këtë aferë, 57 vite burg. Po ashtu, SPAK kërkoi konfiskimin e dy kompanive kryesore, “Integrated Technology ShPK” dhe “Alb Tech”.

Akuza kërkoi konfiskimin e 4 kompanive qe paguan kompanitë kryesore, si dhe 8 apartamente në pronësi të kompanive në fjalë. Lefter Koka, 10 vite, me gjykim të shkurtuar përfiton 6.8 vite.

Më 24 mars, Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim dosjen për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, ku janë marrë të pandehur ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako, si dhe kolaudatori i punimeve Arben Dervishaj dhe disa zyrtarë e biznesmenë të tjerë.

Sipas akuzave të SPAK, për inceneratorin  e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit.

SPAK thotë se për inceneratorin e Fierit u krye korrupsion, u pastruan para dhe u mashtrua që nga shpronësimi i truallit ku do të ndërtohej inceneratori deri tek faturat fiktive për punimet. Megjithatë të gjithë të pandehurit kërkojnë pafajësi dhe pushim të çështjes.

Ndërkohë, në një tjetër çështje gjyqësore në lidhje me incenertorit të Elbasanit, SPAK kërkoi para tre ditësh 10 vite burg për Lefter kokën dhe 4 për Alqi Bllakon, të akuzuar si të përfshirë në këtë aferë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë