Drejtësia

Shtyhet seanca në Elbasan për ekstradimin e ‘spiunes’ ruse, shkak mungesa e prokurorit

Gazeta Si - Mungesa e prokurorit të çështjes, ka sjellë shtyrjen e seancës gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit ndaj ruses Svetlana Timofeeva, e akuzuar për spiunazh në Shqipëri.

Me kërkesë të autoriteteve të Federatës Ruse drejtuar shtetit shqiptar, Ministria e Drejtësisë i përcolli shkresën Prokurorisë Elbasan për trajtimin e procedurës së ekstradimit të 33-vjeçares.

Sipas autoriteteve ruse, ajo është në kërkim për veprën penale ‘Marrje e paligjshme e informacionit që përbën sekret shtetëror’, vendim ky i dhënë që më 25 gusht të vitit të kaluar nga Gjykata e Meshchanky, Moskë.

Prokuroria e Elbasanit ia përcolli kërkesën Gjykatës së Elbasanit, e cila po trajton rastin, por 34-vjeçarja Timofeeva ka refuzuar ekstradimin në vendin e saj..

Në seancën e sotme mungonte prokurori Mustafa Turku për arsye shëndetësore. Ndaj gjykatësi Elis Dine, pasi mori gjeneralitetet e shtyu seancën gjyqësore.

Timofoeeva deri më tani përballë grupit hetimor ka thënë se ajo është thjesht një blogere dhe jo spiune, siç dyshohet nga autoritetet shqiptare.

Dy rusët  Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33-vjeç dhe ukrainasi Fedir Alpatov, 25 vjeç mbahen në burg që prej datës 20 gusht, kur dhe ndodhi incidenti në uzinën e Gramshit.

Mikhail Zorin u konfiktua me 2 ushtarët shqiptarë që e pikasën, Albi Bici dhe Ardian Xhaka, ndërsa Svetlana Timofoeeva dhe ukrainasi po qëndronin në një makinë “Chevrolet camaro” me targa ukrainase AX 6200 IP.

Me dyshimin se tre miqtë, gjendeshin në Shqipëri me detyrën për të kryer spiunazh, grupi i hetimit ka prova të forta se ata kanë fotografuar dhe baza të tjera ushtarake në gusht.

Të tre të arrestuarit e kësaj ngjarje vijojnë të jenë në burg me masën, e dhënë nga Gjykata e Elbasanit “arrest me burg” lënë në fuqi edhe nga Apeli Durrësit me 20 shtator.

Të tre u vunë në pranga dhe akuzohen për “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim.

Svetlana Timofoeeva, mbahet në burgun e grave të Tiranë, por për një periudhë tre mujore ajo ka qëndruar në spitalin e burgut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë