Drejtësia

Shtyhet gjyqi ndaj Mediut, avokati i familjarëve të viktimave: Nuk na lejojnë të jemi pjesë e procesit

Gazeta Si - Seanca për gjykimin e ish-ministrit Fatmir Mediu për dosjen “Gërdeci” është shtyrë për në datën 9 maj, ora 14:00.

Shkak për këtë është bërë kërkesa e Prokurorisë, pasi nuk ishte gati për të dhënë pretencën përfundimtare. Gjykata tha për këtë kërkesë se do të shprehet në fund kur të jepet vendimi.

Seanca e parë u mbajt këtë të hënë, ndërsa avokatët mbrojtës të deputetit kërkuan pushimin e çështjes me argumentin se çështja është parashkruar.

Sipas avokatëve të Mediut, kanë kaluar 12 vite nga fakti penal, ndaj sipas tyre ish-ministri nuk mund të merret i pandehur.

GJKKO ka pranuar gjykimin e shkurtuar, ndërkohë Mediu akuzohet për shpërdorim detyre të dyfishtë sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak.

Avokati Dorian Matlija

Në sallë ishte e pranishme edhe familja Durda, e cila humbi djalin e saj 7-vjeçar në shpërthimin famëkeq të Gërdecit, që nuk u pranua nga GJKKO si palë në gjykim.

Në emër të familjarëve të viktimave, avokati Dorian Matlija deklaroi për mediat se ata nuk janë lejuar që të jenë pjesë e procesit.

“Nuk kemi një shkresë dhe nuk po arrijmë ta kuptojmë këtë vendim. Do ta ankimojmë deri në Gjykatën e Strasburgut këtë vendim”, theksoi ndër të tjera avokati Dorian Matlija.

Ish-ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu përballet me drejtësinë për çështjen “Gërdeci” për të dytën herë pas 14 vitesh.

Gjykata e Posaçme ka vendosur më herët që të pranojë kërkesën e SPAK-ut dhe të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të Mediut.

Ai akuzohet për dy vepra penale Shpërdorimi i detyrës në bashkëpunim dhe Shpërdorim i detyrës në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Në shtator të 2021, Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi që të rihapte çështjen për Mediun.

Togat e zeza në atë kohë theksonin në vendim se Mediu nuk është gjykuar asnjëherë për çështjen “Gërdeci”.

SPAK ka edhe një tjetër procedim të ndarë për tragjedinë në Gërdec për të cilin vijojnë hetimet. 

Çështja ndaj Mediut u mbyll më 14 shtator 2009 në Gjykatë të Lartë kur ai u ri-zgjodh deputet. 

Më herët në SPAK janë pyetur një sërë zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh të kohës, përfshirë edhe Shkëlzen Berishën, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, i dyshuar në këtë aferë pas një komunikimi të ish-ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi, i cili citonte emrin e tij në një shkresë.

Tragjedia e Gërdecit ndodhi më 15 mars të 2008, nga shpërthimi në fabrikën e demontimit të armëve humbën jetën 26 qytetarë dhe u plagosën afro 300 të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë