Autoriteti i Mediave Audiovizive ka vendosur të shtyjë afatin e transmetimeve analoge edhe për një muaj, pra që do të thotë se sinjali analog nuk do të fiket më 1 shtator.
Me anë të një deklarate për mediat, kreu i AMA, Gentian Sala bëri me dije se vendimi i shtyrjes së afatit të transmetimeve analoge është marrë pas një sondazhi të bërë, në të cilën ka rezultuar se shumica e shqiptarëve vijojnë të shohin ende transmetimet analoge.
“Nga sondazhi ka rezultuar se shumë qytetarë shohin ende transmetimet analoge. Në mënyrë unanime, AMA ka vendosur shtyrjen e afatit të transmetimeve analoge edhe për katër javë”, është shprehur kreu i AMA.
AMA kishte vendosur që më datë 1 shtator 2019 të fikte sinjalin analog për Tiranën, Durrësin dhe Vlorën, por ky vendim është shtyrë për më 1 tetor.
Të gjithë teleshikuesit që ndjekin transmetimet televizive përmes teknologjisë analoge, para datës 1 tetor 2019 duhet të pajisen me dekoder dixhital tokësor të tipit DVB-T2-Universal ose të jenë të pajisur me aparat televizori që ka të inkorporuar dekoderin e këtij tipi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




