Menaxhim

Shtyhet deri më 15 Nëntor censi i popullsisë dhe i banesave, problem në zonat e rindërtimit

Nga Gazeta ‘Si’-Censi i Popullsisë dhe Banesave është shtyrë deri në datën 15 nëntor.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtoresha e INSTAT, Elsa Dhuli, e cila theksoi se procesi nuk është mbyllur kryesisht në zonat e rindërtimit në Tiranë, Durrës, Kurbin dhe Krujë.

Dhuli argumentoi se aktiviteti i censit të popullsisë dhe banesave ka pasur ecuri pozitive, ndërsa theksoi se 5240 anketues kanë trokitur nëpër shtëpi.

Shkaqet e shtyrjes së procesit janë sipas saj rikontaktimi më shumë se 3 herë në banesat pa kontakt, refuzimet apo distancat e largëta dhe ndërtimet e reja dhe ato në zonat e prekura nga tërmeti, që janë identifikuar gjatë punës në terren nga anketuesit e INSTAT.

Sipas Dhulit 3% e zonave në të gjithë territorin nuk janë numëruar.

“Procesi nuk është mbyllur kryesisht në zonat e rindërtimit si Tiranë, Durrës, Kurbin, Krujë dhe ndonjë zonë tjetër që ka zona në distanca të largëta. Nuk ka asnjë gjobë për informacione të rreme. Kemi shkuar me shumë se 3 herë nëpër shtëpi” tha ajo në një deklaratë.

Censi ishte parashikuar të mbaronte në 31 tetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë