Gazeta Si – SPAK do të marrë në pyetje më 23 janar, Sali Berishën dhe dy ditë pas tij, me 25 janar, Jamarbër Malltezin, të dy nën hetim për aferën e privatizimit të klubit sportiv “Partizani”.
Ndërsa në 24 janar, SPAK ka caktuar seancën në Apelin e Posaçëm për kërkesën e heqjes së masës së sigurisë “arrest shtëpie” ndaj ish-kryeministrit.
Më herët, avokatët e Berishës kanë kërkuar shtyrje të seancës, pasi pretendojnë se kanë një agjendë të përcaktuar të enjten, duke kërkuar një orë dhe datë tjetër për të shoqëruar klientin e tyre.
Kështu, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka pranuar kërkesat e avokatëve të Sali Berishës dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, duke i shtyrë seancat e marrjes në pyetje për javën e ardhshme, në lidhje.
Seanca e marrjes në pyetje ishte parashikuar ditën e sotme për Malltezin dhe nesër për ish-kryeministrin, por me kërkesë të avokatëve, SPAK pranoi shtyrjen e dy seancave me 23 dhe 25 janar.
Avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj njoftoi dje se kishin depozituar në SPAK kërkesën për shtyrje, pasi avokatët për shkak të impenjimeve nuk mund të ishin të pranishëm në asnjë prej seancave.
Sipas njoftimit të SPAK, i cili ka regjistruar ankimimin, gjyqtarja Ilirjana Olldashi do të shqyrtojë çështjen ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ka apeluar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Çështja penale u regjistrua në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe do të shqyrtojë ankimimin që Berisha ka bërë për të rrëzuar masën e sigurisë së Shkallës së Parë, atë të arrestit shtëpiak.
Po ashtu, avokatët e ish-kryeministrit i janë drejtuar me një kërkesë prokurorëve të çështjes për ta lejuar të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit.
Sali Berisha kërkon zëvendësimin e kësaj mase sigurie që ju caktua nga GJKKO më 30 dhjetor 2023.
Apeli i GJKKO ka regjistruar për të shqyrtuar edhe vendimin e 27 dhjetorit 2023, që hodhi poshtë kërkesën e Sali Berishës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka.
Kërkesa për zëvendësimin e masës së arrestit u bë pasi Berisha refuzoi të zbatonte masat e mëparshme të detyrimit për paraqitje dhe ndalimit të daljes jashtë shtetit, duke i konsideruar ato si antikushtetuese.
Sipas dosjes se SPAK, Berisha ka favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezin, për privatizimin e ish-Kompleksit sportiv “Partizani”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




