Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas paralajmëron se nga 1 marsi do të ndërpritet shërbimi i transportit urban për kryeqytetasit nëse qeveria nuk miraton kërkesat e tyre fiskale.
Në një letër drejtuar Kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Bashkisë të Tiranës, Erjon Veliaj; Zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj; Ministres të Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj dhe Ministres të Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku, kompanitë kanë ngritur shqetësimin se shtrenjtimi i çmimit të naftës ka shtuar kostot për 48% të aktivitetit të tyre.
Shoqata kërkon që qeveria të miratojë kërkesën e tyre për politikat fiskale, për të kompensuar humbjet që po shkaktohen nga rritja e çmimeve të naftës.
Kërkesat e tyre janë:
– Rimbursimi i TVSH-së në shitje
– Heqja e akcizës të naftës 37 lekë/litër;
– Heqja e taksës së qarkullimit në karburant për subjektet e licencuara që ushtrojnë aktivitetin në transportin urban (qytetës) 27 lekë/litër,
– Rimbursimi i çmimit të biletës për kategoritë (Invalidë pune, të verbër, paraplegjik, tetraplegjik, studentët) të cilët udhëtojnë falas.
Për shkak të humbjeve nga rënia e pasagjerëve tetorin e 2021-t ata paralajmëruan reduktim 50% të shërbimit deri në ndërprerjen e tij.
Pak ditë më herët, Dashnor Memaj, Kreu i Shoqatës së Transportit Urban Interurban dhe Bilbil Cara, Kreu i Sindikatës së Taksistëve thanë për Gazetasi.al se shtrenjtimi i karburanteve do të jetë rritja e çmimit të biletave nga shërbimi taksi dhe ai urban.
“Kërkesat kanë qenë të shumta ashtu sikurse edhe premtimet për veprim dhe zgjidhje, por për sa kohë fenomeni vazhdon të mbetet i njëjtë dhe nuk ka asnjë marrje mase apo ndihmë kundrejt këtyre subjekteve, mosofrimi i shërbimit do të vazhdojë deri në momentin që këto kërkesa do të realizohen me veprime”, shkruhet në letrën e drejtuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




