Nga Gazeta Si – Misogjinia dhe gjuha e urrejtjes ndaj vajzave dhe grave në hapësirën kibernetike është një fenomen social që ka ardhur duke u raportuar më shumë nga viti në vit, sipas një raporti të publikuar nga CRCA.
Nga viti 2018 deri në 2023, ka një rritje me 5 herë të incidenteve të misogjinisë dhe gjuhës së urrejtjes. Të dhënat tregojnë se gratë mbajnë vetëm 46 për qind të peshës së raportimeve të bëra në iSIGURT, në krahasim me meshkujt, pavarësisht se analiza e rasteve dhe e faqeve tregon se vajzat dhe gratë janë në mbi 60 për qind viktimat kryesore të incidenteve në hapësirën kibernetike.

Në 2023, janë 153 vajza dhe gra që kanë raportuar, në krahasim me 59 në 2022 dhe 41 në 2021.
Vajzat e reja, sidomos adoleshentet e grupmoshës 14-17 vjeç, të ndjekura nga grupmoshat 18-24 dhe 30-40 vjeç janë ato që raportojnë më së shumti.

Ndërkohë, ajo që vihet re në të dhënat e publikuara është se vajzat dhe gratë në veri të Shqipërisë raportojnë shumë më pak incidente të misogjinisë dhe gjuhës së urrejtjes online.
Qarku i Tiranës mban peshën kryesore të rasteve dhe incidenteve të raportuara nga gratë dhe vajzat, e ndjekur nga qarqet Durrës, Fier, Korçë etj. Ndërkohë në veri janë në total vetëm 44 raste të raportuara.
Altin Hazizaj, drejtor i CRCA dhe autor i raportit thotë se kjo ndodh për disa arsye.
“Vlerat tradicionale dhe përgjithësisht shtypëse përkundrejt grave dhe vajzave, bëjnë që ato të raportojnë më pak, ndërkohë që gjithashtu mund të kenë edhe mungesë të informacionit në lidhje me faktin se ku mund të raportojnë kur ndeshin incidente të tilla online”, thotë ai.
Instagram, Tik-tok dhe Youtube janë platformat kryesore ku vajzat dhe gratë raportojnë incidente të misogjinisë dhe gjuhës së urrejtjes online, të ndjekura nga platforma të tjera sociale ose mediatike si Facebook apo ato lokale.
Nga analiza e rasteve të raportuara del se gjuha e urrejtjes është incidenti më i raportuar nga vajzat dhe gratë, ndjekur nga bullizmi dhe kërcënimet online. Në një numër më të vogël raportohen incidente si CSAM (materiale me përmbajtje të dhunës seksuale ndaj fëmijëve), vjedhje profili për qëllim kërcënimi apo përndjekje etj.
Raporti tregon se jo vetëm numri i incidenteve ka ardhur në rritje, por edhe numri i faqeve të raportuara. Kështu në vitin 2023 u raportuan 170 faqe me përmbajte misogjinie dhe të gjuhës së urrejtjes, që korrespondon me një rritje prej 7 herësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



