Ngjarje

Shtohen infeksionet e reja në Greqi, frikë për rikthimin e karantinës

Greqia hoqi dorë para disa ditësh nga përditësimi ditor i informacionit për situatën e Covid-19 në vend, pasi uljes së ndjeshme të rasteve të reja të identifikuara me infeksionin e virusit të ri.

Por, këtë të hënë autoritetet kanë rinisur shpërndarjen e informacionit të përditësuar, duke e shoqëruar atë me thirrjen e përforcuar për kujdes maksimal dhe respektim të protokolleve higjieno-sanitare dhe të distancimit fizik.

Mediat vendase e interpretojnë këtë si rikthim i panikut, pasi njoftimit se në katër ditët e fundit janë regjistruar 97 raste të reja me të infektuar, është rritur ndjeshëm numri i të shtruarve në spital dhe dy persona kanë humbur jetën.

Rreth një e treta e rasteve të reja janë shtetas grekë dhe të huaj që kanë hyrë në Greqi kohët e fundit nga vendet e tjera. Është e paqartë nëse mes tyre ka edhe shtetas shqiptarë, pasi autoritetet nuk i publikojnë këto të dhëna. Ndërkohë, 30 raste të reja janë zbuluar në qytetin e Ksanthit, që edhe gjatë ditëve të karantinës ishte një prej vatrave më të nxehta të Covid-19 në Greqi.

Në total numri i të prekurve nga infeksioni në Greqi kapërcen 3 mijë vetët, ndërsa viktimat janë 182, kryesisht të moshuaar dhe me kartelë të rënduar shëndetësore.

Duke parë zhvillimet e fundit, Qeveria greke ka paralajmëruar se mund të rikthejë masat e izolimit vendor dhe të ndërpresë fluturimet me vende që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë infeksioni, nëse ritmi i rasteve të reja nuk stabilizohet.

Aktualisht aeroportet e vendit janë të mbyllura dhe vetëm pas datës 15 qershor pritet të hapet aeroporti i Selanikut dhe kufijtë tokësorë, por duke shtuar kontrollet dhe ekipet mjekësore në pikat hyrëse për të verifikuar dhe identifikuar rastet e personave bartës të mundshëm të virusit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë