“Janë shtuar shumë denoncimet, çdo herë e më shumë gra po kërkojnë urdhër mbrojtje nga bashkëshortët dhunues”, thotë A.N punonjëse e barazisë gjinore e cila merr referimet e rasteve denoncuese për dhunë nga Gjykata e Krujës.
“Këtë vit ka më shumë, por kurba ka filluar të rritet prej 2-3 vitesh dhe kjo është e çuditshme. Është edhe diçka e mirë përshembull për një fshat, sepse tregon se gratë kanë filluar të denoncojnë”, shton A.N.
Ajo tregon se arsyeja më e shpeshtë pse këto gra denoncojnë është fakti se kanë frikën e fëmijëve: “Kanë frikë mos bashkëshorti i tyre do të fillojë të rrahë dhe fëmijët”.
Madje, shumë gra vendosin të denoncojnë pikërisht në momentin që bashkëshorti i tyre vë dorë mbi fëmijët.
“Janë shtuar rastet e grave që thonë: “E durova për veten por tani filloi dhe me fëmijën”, thotë punonjësja mbi barazinë gjinore e cila tregon për Gazetasi.al se nëse më parë kishte 3-4 raste në muaj, tashmë mund të ketë deri në 15 raste.
Një arsye tjetër pse janë rritur rastet e denoncimeve të dhunës është fakti se tashmë gratë janë ndërgjegjësuar dhe e dinë se do të mbështeten me pako ushqimore dhe ndihmë ekonomike.
“Na kanë thënë se kanë hezituar të denoncojnë sepse nuk e dinin çfarë do të bënin më pas pwr shkak të kushteve ekonomike por tani që e dinë se do të ndihmohen me ushqime dhe para, e kanë më të lehtë të denoncojnë”.
Gjithashtu gratë po zgjedhin të denoncojnë edhe ngacmimet që ju vijnë nga komshinjtë apo persona të tjerë, diçka jo e zakonshme për periferitë e vendit por shumë e mirë për shoqërinë.
A.N tregon për Gazetasi.al se vetëm para disa javësh ka marrë denoncimin e fundit nga një banore e cila ngacmohej rregullisht nga një komshi i saj.
“Në pak javë kemi pasur këtë denoncim dhe një denoncim tjetër nga një tjetër banore të cilën kishte tentuar ta rrihte kunati i saj. Në gjashtë vite punë, kjo është hera e parë që marrim denoncime të tilla”.
Sipas një raporti të OKB-së, që vjen në prag të fillimit të 16 ditëve aktivizmi global kundër dhunës me bazë gjinore, nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor, 23% e grave shqiptare të anketuara kishin më shumë gjasa të raportonin dhunën.
Gjithashtu, në raport tregohet se pandemia e Covid-19 ka përkeqësuar gjendjen e sigurisë së grave edhe në shtëpitë e tyre apo hapësirat publike.
“Gratë ndihen më pak të sigurta në shtëpi pasi konfliktet mes të rriturve në shtëpi janë shtuar, së bashku me shfaqjen ose kërcënimin e dhunës fizike. 1 në 4 gra ndihet më pak e sigurt në shtëpi”, shkruhet në raport.

Ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi ditën e sotme (e enjte) se dhuna në familje i ka marrë jetën 17 qytetarëve këtë vit, 12 prej të cilëve janë gra.
“Në këto 10 muaj, rreth 4 mijë denoncime janë referuar në policinë e shtetit për raportimin e dhunës në familje. 2965 gra dhe vajza janë dëmtuar nga dhuna në familje në këto 10 muaj, ndër to, 1432 janë bashkëshorte”, tha Manastirliu.
Për shkak të Covid-19, dhuna ndaj grave në hapësirat publike mbetet një pengesë kryesore për lëvizshmërinë e grave. U kufizua aksesi i tyre në punësim, shërbimet thelbësore dhe aktivitete rekreative. Kjo ndikon negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e tyre.
Në Shqipëri, 29% e të anketuarave thanë se ajo vetë ose një grua që njeh ka pësuar dhunë gjatë pandemisë.

34% e grave kanë përjetuar dhunë fizike ose kërcënim në shtëpi dhe 16 % e tyre raportuan se Covid-19 i ka bërë të ndjehen më pak të sigurta në shtëpi.

Edhe jashtë shtëpisë, 22% e grave shqiptare raportuan se Covid-19 i bëri të ndiheshin më pak të sigurta duke ecur vetëm natën.

Ndërkohë 1 në 2 gra nga 13 vende që janë përfshirë në raport, pranon se ajo vetë ose një grua që njeh ka pësuar dhunë gjatë pandemisë.
2 në 5 gra thanë se Covid-19 ka përkeqësuar shëndetin e tyre të përgjithshëm mendor dhe emocional.
Gratë që kanë përjetuar ose njohin gra që kanë përjetuar dhunë që nga Covid-19 kanë pasur 1.3 herë më shumë gjasa të raportojnë stres të shtuar mendor dhe emocional sesa gratë që nuk kanë përjetuar dhunë.
*A.N janë iniciale të ndryshuara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



