Lajme

Shtimi i rasteve, Policia telefonon të infektuarit: Mos dilni!

Policia e Shtetit thotë se ka intensifikuar masat për parandalimin e përhapjes së Covid-19 dhe ka kontaktuar përmes telefonit të gjithë personat e infektuar të karantinuar nëpër banesat e tyre, për t’u kujtuar penalizimet sipas akteve normative për shkelje të karantinës.

“Shërbimet e Policisë, në bazë të listave përkatëse, kanë telefonuar dhe kanë kontaktuar me secilin prej këtyre personave dhe u kanë kërkuar në mënyrë të prerë të mos dalin nga banesa, duke iu bërë me dije sanksionet ligjore të parashikuara në Aktin Normativ, në rast të shkeljes së vetëkarantinimit të detyrueshëm”, deklaron Policia e Shtetit.

Uniformat blu janë vënë në lëvizje pas një urdhri të Drejtorit të Përgjithshëm, Ardi Veliu, që u ka kërkuar strukturave që drejton që të përshkallëzojnë kontrollet dhe masat për respektimin e distancimit fizik dhe masave të tjera mbrojtëse të vetëkarantinimit.

Policia thotë se vijon punën në bashkëpunim me Task Forcën, për monitorimin dhe kontrollin e çdo subjekti, institucioni apo njësie tregtare, për zbatimin e protokolleve të sigurisë të miratuara nga Instituti i Shëndetit Publik, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë