Ngjarje

Shtimi i rasteve në Shqipëri, Greqia shtyn me 2 javë hapjen e kufijve

Autoritetet greke janë tërhequr nga vendimi fillestar për të hapur të gjitha aeroportet dhe portet e vendit me Shqipërinë dhe kanë vendosur që transporti ajror me Shqipërinë të kryhet vetëm përmes aeroportit “Eleftheros Venizellos” të Athinës.

Vendimi është marrë nga Ministria e Shëndetësisë, ajo e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministria e Marinës Tregtare dhe të Politikës Ishullore. Aty përcaktohet që kufizimi i përkohshëm i fluturimeve ajrore me Shqipërinë të shtyhet deri më 30 qershor me arsyetimin e ruajtjes së shëndetit publik.

Një pjesë e mediave greke e kanë interpretuar këtë stepje të Athinës nga vendimi i parë që parashikonte hapjen e aeroporteve dhe të porteve me Shqipërinë më 15 korrik, si reflektim pas informacioneve të shtimit të rasteve të reja me Covid-19 në Shqipëri.

Nga ky kufizim mbetet të bllokuara linjaat detare dhe rrugore me Shqipërinë, ndërsa përjashtim nga hyrja nga Shqipëria për në Greqi bëjnë disa kategori.

Sipas vendimit të autoriteteve greke lejohet hyrja e qytetarëve greke, apo shtetasve shqiptarë që zotërojnë kartën e posaçme të identitetit të homogjenit, apo emigrantë shqiptarë që zotërojnë leje qëndrimi dhe kanë vendbanim kryesor, apo qëndrim të përhershëm të tyre Greqinë.

Do të vijojë të lejohet edhe transporti i mallrave me kamionë, apo tragete dhe hyrja e personave vetëm përmes kufijve tokësorë për arsye punësimi, por që duhet ta vërtetojnë këtë përmes dokumentacioneve dhe garancive që ofrohen nga vendi i punës. Për të gjithë këtë kategori është i detyrueshëm karantinimi disaditor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë