Ngjarje

Shtimi i rasteve me Covid-19 në Shqipëri, Mali i Zi mbyll kufirin

Shtimi i rasteve me Covid-19 në Shqipëri ka alarmuar autoritetet malazeze, që duke filluar nga e mesnata e së dielës do të rikthejnë mbylljen e kufirit me vendin tonë.

Vendimi është marrë nga Njësia Operacionale e Krizës në Qeverinë e Malit të Zi, që ka rishikuar listën e vendeve, shtetasit e të cilëve do të lejohen që të hyjnë. Vendimi është njoftuar edhe nga Ministria e Jashtme shqiptare.

“Nisur nga numri në rritje i shtetasve të infektuar aktiv në vendin tonë, që aktualisht e kalon numrin 700 (limit ky i vendosur më parë nga autoritetet malazeze dhe që e kalon shifrën 25 të infektuar për 100.000 banorë), autoritetet malazeze kanë vendosur të mbyllin kufijtë tokesorë me Shqipërinë dhe të lejojnë hyrjen tranzit në territorin malazez vetëm për shtetasit që prezantojnë në kufi dokumentin e testimit negativ ndaj COVID-19, të kryer brenda 48 orëve”, thuhet në deklaratë.

Nga kufizimi përjashtohen stafet mjekësore, transporti i mallrave, diplomatët, stafet e organizatave ndërkombëtare dhe personeli ushtarak e punonjës të ndihmës humanitare gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë