Jete & Stil

Shtëpitë ‘parahistorike’ të së ardhmes

Xhami dhe çeliku mund të jenë duke formuar qytetet tona të së ardhmes, ndërsa rrokaqiejtë gjigantë vazhdojnë të mbulojnë horizontet. Mirëpo, së fundmi, disa arkitektë po rikthejnë idenë e banesave më të vjetra të njerëzimit: shpellat.

Me ambiente të brendshme të izoluara mirë, me efikasitet energjetik, materiale ndërtimi të siguruara nga një strukturë ekzistuese, si dhe në harmoni me natyrën, bën që shpellat të jenë një alternativë shumë e mirë për të jetuar.

Ndoshta ndër më të famshmet janë shpellat e Kapadokisë në Turqi, të cilat janë shndërruar në dhoma me qira dhe hotele luksoze. Shembuj të tillë të ngjashëm gjenden edhe në Tel Aviv, Teksas dhe në provincën malore Shaanxi të Kinës. Në këtë të fundit, banesat tradicionale të vendosura në shpella ofrojnë ende sot strehim për miliona banorë dhe është vërtetuar se janë në përputhje të plotë me parimet e dizajneve bashkëkohore.

Por shpellat, pavarësisht se janë shtëpitë tona më të vjetra, shpesh shihen si një zgjedhje radikale. Në vitin 1958, në Meksikë u bë e famshme banesa e piktorit dhe arkitektit, Juan O’Gorman, vendosur në një shpellë llave dhe zbukuruar me printime kafshësh. Mirëpo asokohe, kjo shtëpi u konsiderua e çuditshme dhe e frikshme. Ndërsa sot është shndërruar në një ekspozitë dhe shihet si një burim frymëzimi për arkitektët.

Një nga projektet më ambicioze ka qenë “Cuevas Civilizadas” (Shpellat e Qytetëruara) e arkitektit Carlo Lazo. Ai synonte të gërmonte 110 shtëpi në kodër në veriperëndim të Meksikos, së bashku me partnerët e tij të projektit, Augusto Pérez Palacios dhe Jorge Bravo. Hapësira të tëra u gdhendën dhe disa shtëpi përfunduan, por fatkeqësisht me vdekjen e Lazo-s, vdiq dhe projekti vizionar.

Përveç qyteteve lundruese dhe shtëpive të gjelbëruara, edhe shtëpitë-shpella mund të na ndihmojë të planifikojmë një të ardhme që rrezikohet nga ngrohja globale. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë