Nga Gazeta Si- Asnjë prej Institucioneve rezidenciale për të moshuar nuk ka në dispozicion një automjet për transportimin në rast emergjence të të moshuarve të sëmurë për në spital dhe kthimin e tyre pas rehabilitimit në qendër.
Edhe pse rekomandimi për të siguruar një të tillë është dhënë prej dy vitesh nga KLSH, institucionet nuk kanë mundur ta sigurojnë një automjet, duke dhënë gjithsecila një justifikim të ndryshëm.
Shtëpia e të moshuarve në Tiranë, në përgjigje të KLSH, thotë se u ka dërguar shkresat për mundësim automjeti Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme por nuk u është siguruar një makinë.
Gjithashtu, sipas Shtëpisë së të Moshuarve, janë bërë lobime dhe përpjekje me donatorë dhe organizata por nuk është arritur sigurimi i një automjeti.
Ndërsa Shtëpia e të moshuarve në Fier ka një tjetër “justifikim”, duke thënë se janë në kontakt me një donator dhe mendojnë se është drejt zgjidhjes sigurimi i një automjeti për të moshuarit.
Në Kavajë situata është më ndryshe pasi kanë arritur të marrin një fugon nga Presidenca por vetëm kaq, pasi nuk e përdorin dot.
Fugoni aktualisht nuk është në gjendje pune pasi ka taksat dhe siguracion të papaguar.
Situata rëndohet më shumë në vijimin e përgjigjes, ku përfaqësuesit e Shtëpisë së të moshuarve thonë se sido të jetë, fugonin nuk e përdorin dot sepse duhet nga një mekanik për defekte të mundshme.
Ndërkohë, në Shtëpinë e të moshuarve në Polican, është dashur ndërhyrja e Bashkisë, e cila gjithsesi nuk e ka zgjidhur situatën siç rekomandohej.
Pasi i kanë dërguar kërkesë Shërbimit Social dhe Ministrisë së Shëndetësisë, të cilat nuk e kanë marrë në konsideratë kërkesën, ka ndërhyrë Bashkia e cila ka arritur të gjejë një zgjidhje, duke dhënë në përdorim Ambulancën e Qendrës Shëndetësore, por me kushtin që shpenzimet ti bëjë shtëpia e të moshuarve.
“Bashkia Poliçan, në kushtet e pamundësisë financiare për realizim të blerjes se një mjeti, japin në përdorim të përbashkët me Qendrën Shëndetësore Poliçan një mjet Ambulancë për tu përdorur, kundrejt mbulimit nga ana jone me karburant”, thuhet në përgjigje.
Shtëpia e të moshuarve në Gjirokastër nuk e ka parë të rëndësishme sigurimin e një mjeti, duke pritur që të “bie nga qielli” dhuratë.
“Institucioni ynë ende nuk është pajisur më një mjet. Jemi në pritje të një mjeti dhuratë”, thuhet në përgjigjen indiferente të Shtëpisë së të moshuarve Gjirokastër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.