Para

Shtëpitë bosh ‘mbushur’ me para të pista

Nga Gazeta ‘SI’ - “Për të llogaritur pastrimin e parave, numëro vinçat në Tiranë”, tha Antonio Nicaso, ekspert i ligjit dhe antimafias, kur u pyet nga The Times, për tregun imobiliar në Shqipëri.

Tashmë mjafton të shohim vetëm të dhënat e INSTAT. Në Shqipëri janë më shumë se 356 mijë banesa të pabanuara, nga të cilat 170 mijë janë apartamente në pallate. Paradoksalisht, edhe pse popullsia është reduktuar nga 2011-a, banesat e reja janë shtuar, duke hedhur poshtë narrativën e autoriteteve, se ndërtimi ka lulëzuar për shkak të kërkesës.

Statusi i banimit dhe lloji i ndërtesës, CENS 2024

Indeksi Fischer i Bankës së Shqipërisë thotë që ka një rënie të ofertës së banesave në vend, që do të thotë se një pjesë e madhe e këtyre banesave të pabanuara nuk janë për shitje. Informacioni se janë 365 mijë banesa jashtë tregut imobiliar, në një kohë kur vetë tregu është në skarcitet, konfirmon dyshimin që qëndronte pezull për shkak të mungesës së shifrave zyrtare.

Pyetjes “pse?” iu përgjigj OKB pak ditë më parë. Emigrimi dhe... pastrimi i parave.

Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara, pasanikët dhe kontigjentët me burime ilegale të ardhurash e shohin tregun imobiliar në Shqipëri si “strehë të sigurt” për të hedhur paratë e tyre, duke i blerë ato banesa dhe duke i lënë të pabanuara dhe jashtë tregut imobiliar.

Agjencia e Inteligjencës Financiare, AIF, i tregoi Kuvendit pak muaj më parë se tregu imobiliar është lavatriçja më e madhe e parave të pista në vend. Para nga trafikantë të drogës, nga grupe kriminale të huaja, nga Persona të Ekspozuar Politikisht etj, investohen në pasuritë e patundshme në kryeqytetin dhe bregdetin shqiptar.

AIF thekson se këta individë e përsërisin skemën e pastrimit të parave në real estate, disa herë brenda disa vitesh.

Skema e pastrimit të parave në pasuri të patundshme, AFIU, 2024

Raporti i vitit 2023 nga Departamenti Amerikan i Shtetit po ashtu konfirmoi se në sektorin e ndërtimit dhe tregun imobiliar në Shqipëri, lahen paratë e trafikut të drogës.

Rrjedhimisht, një investim i përqendruar në pasuri të patundshme ka rritur fort çmimet, duke e bërë strehimin të pabërballueshëm për taksapaguesit. Çmimi mesatar për një metër2 në Tiranë raportohet 2.3 mijë m2.

Për të dhënat lokale të banesave duhet të presim publikimin e plotë në vjeshtë, por më herët SPAK publikoi hartën e pastrimit të parave në Shqipëri. Tirana është qendra e larjes së parave, ndjekur qytetet bregdetare, si Durrësi, Vlora e Fieri, por është hasur dhe në Shkodër e Elbasan.

Harta e tregjeve kriminale në Shqipëri, SPAK 2024

Shfrytëzimi i Real Estate si “lavatriçe” parash është metoda e preferuar e kontigjentëve të krimit.

Autorja Brigitte Unger, në librin e saj “The scale and impacts of money laundering” thotë se tregu imobiliar është më i rrezikuari nga pastrimi i parave.

“Një shumë e konsiderueshme parash përfundon në pasuri të paluajtshme. Ky sektor është më pak transparent se tregjet financiare, personat juridikë mund të veprojnë në vend të personave fizikë dhe fitimet në vlerë janë të larta duke përfshirë vendosjen e vëllimeve të mëdha të pasurisë”, shkruan Unger.

Me lejet e ndërtimit në vend që shtohen çdo muaj dhe me shqiptarët që ikin, stoku i banesave parashikohet të rritet, por askush nuk duket i shqetësuar për mungesën e klientëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë