Mentor Kasa - Humbja ndaj Çekisë në “Dosan Arena” të Pëlzenit shoi shpresat e Kosovës për t’u kualifkuar në Euro 2020. Por, në ndeshjen e fundit “Dardanët” kishin në lojë shumë më shumë se tri pikët. Në lojë ishte t’i tregohej botës edhe njëherë se një popull i vuajtur sa shqiptarët nuk mund të jetë racist, aq më tepër ndaj përfaqësueses së një vendi mik.
Anglia u prit me fërshëllima, thirrje e kore raciste ndaj lojtarëve të saj me ngjyrë në të gjitha takimet që zhvilloi jashtë, nga Podgorica, deri në Sofje e Pragë, por jo në Prishtinë. Në Prishtinë, edhe pse disi e tepruar, lojtarët me ngjyrë të “Tre Luanëve” u pritën me buqeta me lule që në aeroport, ndërsa tifozët anglezë që udhëtuan për të ndjekur skuadrën e tyre me kuzhinën e shijshme kosovare thuajse falas për ta.
Qershia mbi tortë pastaj ishte në stadium, kur gjatë "God Save the Queen", himnit të Anglisë, tifozët kosovarë në "Fadil Vokrri" ngritën lart flamuj anglezë dhe më pas, gjatë himnit të Kosovës, flamurin e Kosovës. Vija ndarëse me punonjësit e sigurisë mes dy tifozerive në stadium ishte sa për sy e faqe dhe më shumë për të zbatuar rregulloren e UEFA-s sesa për të garantuar sigurinë. Siguria e miqve nuk u cenua për asnjë moment, madje pati momente kur të dyja tifozeritë duartrokisnin aksionet e skuadrës kundërshtare.
Ky ishte përshkrimi i shkurtër i mikpritjes që Kosova i ofroi Anglisë në ndeshjen e fundit të saj. Asnjë incident, asnjë episod racizmi, përkundrazi vetëm “Respekt dhe Mirëseardhje”, ashtu siç ishte slogani dhe pankartat e shpërndara nëpër Prishtinë këto dy ditë.
Kosova humbi një ndeshje, por fitoi simpatinë e anglezëve, në këto kohë kur ka kaq shumë nevojë për mbështetjen e Anglisë, pikërisht asaj Anglie që me Tony Blair nuk qëndroi duarkryq atëherë kur Kosova kishte më shumë nevojë.
Anglezët në fushë dhe jashtë saj u ndjenë si në shtëpinë e tyre, ndryshe nga ndjesia që provuan në Mal të Zi, Bullgari dhe Çeki. Në të trija vendet lojtarët më ngjyrë të tyre janë fërshëllyer e përplasur me kore e thirrje raciste, aq sa Mali i Zi u dënua me gjobë dhe disa ndeshje pa tifozë, në Bullgari kreu i Federatës së Futbollit dha dorëheqjen, ndërsa në Pragë pati përleshje dhe dhjetra të arrestuar para takimit. Ndërkohë, gjatë ndeshjes u regjistruan disa episode me ngjyrime raciste, megjithëse jo aq flagrante sa në Podgoricë dhe Sofje.
Por, e gjithë kjo nuk lidhet më shumë me Bullgarinë, Çekinë apo Malin e Zi. Shfaqja e qytetarisë në formën më të mirë të mundshme lidhet më shumë me Serbinë, që vetëm pak javë më parë mori dënimin e radhës nga UEFA për kore dhe sjellje raciste të tifozerisë në ndeshjen ndaj Portugalisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.