Muzeu kushtuar institucionit të besës, do të ngrihet në godinën e njohur si Shtëpia e Libohovitëve, monument kulture i kategorisë I, që ndodhet në krah të kalasë së Tiranës dhe Sarajeve të Toptanëve.
Nëpërmjet një konkursi të hapur ndërkombëtar për projektide u shpall dhe projekti fitues, i cili do të ridimensionojë edhe njëherë ndërtesën historike.
Fituese e projektit u shpall studio “Oppenheim Architecture” nga Zvicra.
Në prezantimin publik të 5 projektideve finaliste për ngritjen e muzeut “Besa” në Tiranë ministrja e Kulturës Elva Margariti tha se ky është një muze që “shpirtërisht” është i lidhur me një tjetër, që po ngrihet në Vlorë, Muzeun Hebraik Shqiptar, sepse pa konceptin e Besës nuk do të ekzistonte dhe ajo sakrificë sublime e shqiptarëve gjatë pushtimit nazist.
“Një muze, që përbën një sfidë si nga ana arkitekturore ashtu edhe në konceptimin muzeal, pasi nga njëra anë bëhet fjalë për një muze që do të ngrihet në një godinë-monument kulture dhe nga ana tjetër duhet të rrokë dimensionin shpirtëror të një kombi”, tha Margariti.
Konkursi ndërkombëtar u shpall në 13 shkurt 2023. Ai kaloi përmes dy fazave.
Në fazën e parë nga 17 aplikues, dhe mbi bazën e kritereve të vendosura, që lidheshin me profilin e kandidatit, ekipin e projektimit, qasjen ndaj projektit dhe konceptin paraprak, u përzgjodhën 5 projektpropozime finaliste për të vijuar në fazën e dytë.
Pesë finalistët ishin:
- “EAA” (Emre Arolat Architecture), Turqi
- “Oppenheim Architecture”, Zvicër
- “Schneider" &Schumacher”, Gjermani
- “Cook Haffner Architecture Platform”, Anglia
- “MVRDV”, Holandë
Juria ndërkombëtare e fazës së dytë me ministren e Kulturës Elva Margariti; Massimiliano Fuksas - arkitekt, studio Fuksas; Filippo Innocenti - arkitekt, Zaha Hadid Architects; Barbara Kirshenblat-Gimblett - prof. për studime Judaike në Shkollën Pasuniversitare të Arteve dhe Shkencave dhe Muzeologjisë Profesionale; Ayşen Savaş arkitekt, prof. në Universitetin e Arkitekturës në Ankara dhe Georgios Papadakis - inxhinier mekanik, Manager Partner i European Jeëish Association që shqyrtoi projektet shpalli fitues “Oppenheim Architecture”.
Rama u shpreh se ky muze do të ruajë për brezat një pasqyrë të artë të shqiptarisë, atë të shpëtimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, si edhe do t’u ofrojë të gjithëve një hapësirë opinionesh, debatesh, shprehjesh artistike e kulturore mbi tolerancën, solidaritetin, humanizmin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.